Bota Putin i kujton Macron fatin e Napoleonit: Ka disa që e kanë...

Putin i kujton Macron fatin e Napoleonit: Ka disa që e kanë harruar se si përfundoi

Presidenti rus Vladimir Putin i ka kujtuar homologut të tij francez, Emmanuel Macron fatin e Napoleon Bonapartit.

Duke folur një ditë pasi Macron e quajti Rusinë një kërcënim për Evropën dhe hodhi idenë e vendosjes së vendeve të tjera evropiane nën ombrellën bërthamore të Francës, presidenti rus tha se disa njerëz e kanë harruar atë që ndodhi me Napoleonin.

“Ka ende njerëz që duan të kthehen në kohët e Napoleonit, duke harruar se si përfundoi,” tha Putin për mediat ruse, pa përmendur Macron me emër.

Putini iu referua perandorit francez i cili marshoi me ushtrinë e tij nëpër Rusi në 1812, por më pas u detyrua në një tërheqje të dëshpëruar dimërore me humbje masive jetësh.

Presidenti rus gjithashtu foli edhe për llojin e paqes që duhet vendosur me Ukrainën: “Duhet të zgjedhim një paqe që na përshtatet dhe që do të sigurojë paqen për vendin tonë në afat të gjatë”.

Putin nënvizoi se “Rusia nuk do të heqë dorë kurrë nga ajo që është e vetja”.

“Gabimi i armiqve tanë është se na nënvlerësuan. Nga kjo nisën të gjitha: nënvlerësimi i karakterit të popullit rus”.