Bota Putin paralajmëron: Kujdes nga një konflikt bërthamor

Putin paralajmëron: Kujdes nga një konflikt bërthamor

“Rreziku i një lufte bërthamore nuk duhet të nënvlerësohet”. Ky është paralajmërimi që vjen nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Duke folur në konferencën vjetore për mediet në Moskë, Putin tha se shpreson se do të mbizotërojë gjuha e përbashkët në kohën e tensioneve të rritura midis Rusisë dhe Perëndimit.

Lufta bërthamore, sipas tij mund të çojë në “vdekjen e qytetërimit”. Kjo është hera e dytë në disa muaj, që Putin ngre publikisht mundësinë e një katastrofe të tillë.

Sipas presidentit rus, tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Traktati i Raketave Balistike në vitin 2002 e ka minuar “balancën strategjike” mes Moskës dhe Uashingtonit, e plani i Amerikës për tërheqje nga Traktati i Raketave Bërthamore me Rreze të Mesme është “një tjetër hap” në këtë drejtim.

Shqetësimet e brendshme ishin po ashtu një pjesë kyçe e fjalës së tij, në një kohë kur shkalla e popullaritetit të Putinit ka shënuar rënie, si pasojë e reformës jopopullore të pensioneve këtë vit.

“Më kryesorja është që ne duhet të kalojmë në një fazë tjetër ekonomike. Ne mundemi shumë mirë të marrim vendin e pestë në kuptimin e përmasës së ekonomisë dhe mendoj se do t’ia dalim”, tha Putin.

Rusia renditet aktualisht e 12-a në botë, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, pas SHBA, Kinës, Japonisë, Gjermanisë dhe Britanisë.