Bota Putin pranon se do të punonte me Biden: Partia Demokratike, më pranë...

Putin pranon se do të punonte me Biden: Partia Demokratike, më pranë ideve që lindën komunizmin

Presidenti rus Vladimir Putin beson se idealet e demokracisë sociale të Partisë Demokratike në SHBA janë shumë pranë dhe të ngjashme me ato që çuan në ngritjen e komunizmit dhe shton se Rusia mund të formojë një bazë ideologjike të një marrëdhënieje bashkëpunimi nëse Joe Biden fiton zgjedhjet e 3 nëntorit.

Gjatë një interviste për televizionin shtetëror rus, Putin tha se ai shpreson të bashkëpunojë me këdo që fiton zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

“Për kandidatin demokrat çfarë mund të them? Ne shpesh herë kemi dëgjuar retorika antiruse, por tashmë jemi mësuar më këtë gjë. Megjithatë, disa gjëra duhen përmendur. E para, Partia Demokratike është tradicionalisht më pranë vlerave të ashtuquajtura liberale, më afër ideve socialdemokrate, nëse krahasohet në Europë. Dhe pikërisht prej këtij mjedisi social-demokratik u zhvillua Partia Komuniste”, u shpreh presidenti rus.

Përpara se të hynte në politikë, Putin ishte një nga zyrtarët e lartë të KGB gjatë Unionit Sovjetik që kontrollohej nga Partia Komuniste. Pas kësaj periudhe ai forcoi pozitat e tij në drejtimin e vendit.

“Unë ende besoj në disa nga këto vlera të krahut të majtë. Barazi dhe vëllazëri. Çfarë ka të keqe me to? Në fakt, ato janë të ngjashme me vlerat kristiane. Po është e vërtetë që janë të vështira për t’u implementuar, por mbeten tërheqëse”, shtoi Putin.