Kryesore Putini u prit në Serbi më përzemërsisht se në provincat ruse, por…

Putini u prit në Serbi më përzemërsisht se në provincat ruse, por…

Vladimir Putini u prit në Serbi më mirë se në shumë vende të Rusisë. Kjo vizitë nënvizoi miqësinë mes Rusisë dhe Serbisë, por la pas vete shumë çështje të hapura.

Nga Ivica Petrovic – DW

Vizita e Putinit ishte një festë e madhe për Beogradin dhe Serbinë. I gjithë qyteti u mbajt për orë të tëra i bllokuar, e gjithë vëmendja e mediave dhe opinionit ishte e përqendruar tek presidenti i Rusisë.

Mbi 7000 forca të sigurisë (serbe dhe ruse) janë kujdesur tërë kohën për sigurinë e presidentit rus. Autoritetet dhe sipërmarrjet kanë organizuar qytetarët dhe punëtorët e sipërmarrjeve të dalin në rrugë për të treguar mikpritje dhe falënderim ndaj Rusisë dhe presidentit Putin. Atmosfera i ngjante karnavaleve, njerëzit parakalonin me flamuj të Serbisë dhe Rusisë në dorë. Megjithatë, në tubime vërehej qartë se shumë prej këtyre personave kanë qenë të detyruar të dalin në rrugë – daljen në rrugë e kanë pasur si një lloj obligimi.

Autoritetet thonë se Putinin e kanë pritur në ceremoninë festive pranë kishës Sveti Sava (Shën Sava) rreth 120.000 persona, të cilët në fund të ceremonisë dëgjuan nga Putini vetëm një fali në gjuhën serbe: Ju faleminderit për miqësi! Shumë njerëz nga brendësia kanë ardhur me autobusë të organizuar, kanë pasur ditë të lirë pune, kanë marrë ushqime, meditje prej 1.500 dinarë, një ekskursion deri në Beograd dhe kanë dëgjuar – një falënderim të Putinit. Secili prej tyre do ta mbajë mend këtë vizitë, për shkaqe të ndryshme.

Interesat dypalëshe

Delegacioni i Rusisë  ka qenë në Beograd në nivelin më të lartë. Ai është shoqëruar nga një numër i madh gazetarësh dhe ekonomistësh. Ishte kjo vizita e katërt e Putinit në Beograd, ku shumë analistë shtrojnë pyetjen: Pse Rusia i kushton kaq shumë vëmendje Serbisë?

Analisti Boshko Jakshiq mendon se Putini dhe Vuçiçi po i ndjekin interesat e përbashkëta: “Interesi i Putini ishte që çdo marrëveshje e arritur mes Kosovës dhe Serbisë të ruajë influencën ruse në Serbi. Serbia dhe Republika Serpska janë për momentin mbështetësit kryesorë të interesave ruse në Ballkanin Perëndimor. Vuçiçi nga ana tjetër ka dashur të dëgjojë se si do të reagonte Rusia pas nënshkrimit të një marrëveshje eventuale mes Prishtinës dhe Beogradit. Vuçiçi u ka dërguar mesazh, në veçanti atyre që janë kundër marrëveshjes, se Putini është në anën e tij”, thotë Jakshiq.

Putini në Serbi – pakënaqësi në BE

Bashkëbiseduesit e Deutsche Welles thonë se Putini nuk ka shumë adresa të tjera në Evropë ku mund të shkojë, përveç në takimet e mëdha. Analisti Vladan Marjanoviq thotë se “Putini me siguri që është i kënaqur që të pritet me kaq madhështi në një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ai është pritur këtu më pëzermërisht dhe më mirë se në ndonjë provincë ruse. Të kujtojmë se imazhi i Putinit në Rusi është cënuar së fundi, në veçanti pas ngritjes së moshës për dalje në pension”.

Marjanoviqi thotë se politika ruse ka përjetuar humbje të thellë në Mal të Zi dhe Maqedoni, ndaj ishte mirë për Putinin ky demonstrim i miqësisë dhe mikpritjes në Beograd. “Ai përfiton edhe nga pakënaqësia e shkaktuar brenda Bashkimit Evropian”, thotë Marjanoviq.

Shikuar nga deklaratat e Vuçiçit dhe Putinit, Kosova ka qenë një prej temave qendrore gjatë takimeve. Putini sërish tha se zgjidhja e dakorduar mes dy palëve mund të arrihet në kuadër të Rezolutës 1244 të KS të OKB. Ndërsa Vuçiç tha se pa Rusinë nuk do të miratohet asnjë marrëveshje për çështjen e Kosovës.

Deri tani nuk dihet nëse Vuçiçi i ka prezantuar para Putinit planet e tija për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Por në shumë media të afërta me qeverinë e Beogradit është shkruar në mënyrë euforike ditët e fundit se “Putini do t’ia kthejë Serbisë Kosovën”.

Fatura e Rusisë

“Këto janë fantazinë e gazetave bulevardeske”, thotë Boshko Jakshiq. “Mendoj se Rusia po fshihet pas deklaratave standarde, se do të pranojë vetëm zgjidhjen që e pranon Serbia dhe zgjidhjen që dakordohet mes Beogradit dhe Prishtinës. Mendoj se Rusia për këtë qëndrim pret garancittë e Serbisë se nuk do të largohet nga ajo, sikur Mali i Zi dhe Maqedonia. Nga ana tjetër, me siguri që pret edhe disa lëshime nga Uashingtoni dhe Brukseli. Moska mund të thotë: Mirë, ne nuk do të përdorim veton ndaj marrëveshjes mes Beogradit dhe Prishtinës, por kjo e ka çmimin e vet”, mendon Jakshiq.

Këtë lloj mendimi e konfirmojnë në një farë forme edhe shkrimet e mediave ruse. Ato vlerësojnë se pranimi i ndarjes apo përkufizimit mes Kosovës dhe Serbisë do të hapte hapsirë për njohjen e Kosovës. Kjo do të thoshte forcimin e protektoratit të NATO-s në Kosovë, por Moska ka frikë se Vuçiçi më pas mund ta çojë vendin në NATO. Këtë paralajmëron edhe opozita në Serbi, e cila mendon se pas njohjes së Kosovës, Vuçiçi për hir të ruajtjes së pushtetit do të nisë projektin e ri – anëtarësimin e Serbisë në NATO.

“Rusia e ka zgjeruar influencën e vet në Ballkanin Perëndimor duke i falënderuar çështjes së Kosovës. Çfarëdo zgjidhje e kësaj çështjeje do të thoshte mbyllje e kanalit të vlefshëm për influencën ruse në këtë rajon. E kjo nuk është fare në interesin e Rusisë”, paralajmëron Jakshiq.

Putinofilia e popullit serb

Opozita serbe është përpjekur në mënyra të ndryshme ta paralajmërojë Moskën se Putini me këtë vizitë po e mbështetë presidentin Aleksandar Vuçiç dhe jo popullin serb. Opozita mendonte se Moska duhet të ketë kujdes në këto çështje, sepse Vuçiçi e shfrytëzon këtë vizitë për çështje të pushtetit personal dhe partiak. Me ndarjen e lmimi Aleksandar Nevski, Vuçiçi e ka çementuar imazhin e personit të mbështetur nga Moska dhe Putini.

Vladan Marjanoviq thotë se apelet e opozitës kanë dështuar. “Rusët nuk janë si amerikanët, të cilët gjatë vizitave takohen edhe me përfaqësuesit e opozitës. Rusët nuk e kanë bërë kurrë një gjë të tillë. Ndaj apelet e opozitës nuk janë respektuar”, mendon Marjanoviq.

“Vuçiçi nuk është personi të cilit i besohet shumë në Moskë. Nuk është personi i besueshëm i Putinit. Vëmendja e Putinit ka qenë e përqendruar tek populli serb, tek i cili po rritet rusofilia dhe putinofilia. Për Rusinë është me rëndësi mbështetja e popullit serb dhe jo e një lideri – pavarësisht se sa është i fuqishëm ai“, pohon Boshko Jakshiq.

Ekonomia është vetëm një perde e mjegullt

Gjatë vizitës së Putinit është thënë shumë. Por fati i qendrës humanitare ruse në Nish mbetet i paqartë. Nuk dihet nëse personeli atje do të ketë status diplomatik. “Vuçiçi ende nuk është i gatshëm që personalit atje t’i japë status diplomatik. Pas takimit, presidenti Putin dukej i pakënaqur, që mund të sinjalizojë se gjatë bisedimeve ka marrë një përgjigje të pakënaqshme. Por ende nuk dihet se cila ka qenë përgjigja”, pohon Marjanoviq.

Ishte shumë e dukshme përpjekje e të dy palëve që vizitës t’i jepet një karakter sa më i fuqishëm ekonomik. Por Boshko Jakshiq mendon se palët nuk kanë qenë tepër të bindshme në këto përpjekje. Fakti që ekonomia është vënë në plan të parë mund të thotë se ata kanë pasur bisedime shumë serioze për çështjen e Kosovës, por edhe për qendrën në Nish, e cila zyrtarisht nuk është përmendur fare. Kjo do të thotë se rreth kësaj çështjeje nuk ka pasur ndonjë marrëveshje”, mendon Jakshiq.