Kryesore Pyesni shqiptarët se ata e dinë: Nuk është e lehtë të jesh...

Pyesni shqiptarët se ata e dinë: Nuk është e lehtë të jesh i gjelbër

Peter Lucas*

Sa keq, që senatori Eddie Markey dhe kolegia e tij e në Kongres, Aleksandra Ocasio-Cortez, nuk mund ta vizitonin Shqipërinë në vitet ’80. Do ta dashuronin. Do të kish qenë mishërmi i New Green Deal që ata kërkojnë sot.

Nuk kishte makina në Shqipëri. Nuk mund të kishe, të blije, të merrje me qira apo të vidhje një të tillë.

Komunistët, që drejtonin vendin, zbatonin një politikë afatgjatë që ndalonte pronësinë private ose përdorimin e makinave. Feja ishte e ndaluar gjithashtu.

Në raste të rralla, një limuzinë e errët me dritare të hijesuara do të kalonte duke shpejtuar bulevardin kryesor në kryeqytetin e Tiranës. Nuk kishte drita të kuqe apo shenja trafiku, megjithëse kishte shumë policë dhe ushtarë përreth.

Këmbësorë të frikësuar do të mendonin se limuzina mbante krerët e Partisë Komuniste, të vetmit njerëz të privilegjuar që kishin të drejtën e makinave dhe shoferëve. Njerëzit kthenin kokën. Por policët dhe ushtarët që ruanin ndërtesat dhe kryqëzimet përkuleshin dhe përshëndesnin limuzinën që shpejtonte tej.

Kurrë nuk mund ta dije se kush ishte në ndenjësen e pasme, ndoshta edhe vetë Hoxha. Më mirë të ishe i sigurt se i penduar.

Ashtu si të gjithë diktatorët komunistë apo socialistë, Enver Hoxha, udhëheqësi paranojak shqiptar, sundoi si një fashist. Ai qeveriste me anë të frikës sepse, ashtu si ai vrau për të ardhur dhe qëndruar në pushtet, po kështu mund të vritej.

Gjithashtu, mungesa e aksesit te makinat nënkuptonte se, në shtetin policor shqiptar njerëzit mund të survejoheshin lehtësisht. Me gomar dhe me biçikletë nuk mund të shkosh larg.

Sigurimi – policia e frikshme sekrete – gjithmonë e dinte se ku ishe. Shqipëria, për 44 vjet, derisa komunistët ranë, ishte një burg i madh.

Nuk mund të hyje dhe të dilje. Dhe, në qoftë se arrije ndonjëherë në afërsi të kufirit me Jugosllavinë apo Greqinë, me plan arratisje në mendje, të qëllonin për vdekje dhe ta degdisnin familjen në një kamp përqendrimi.

Gërvish një socialist dhe do të gjesh një fashist.

Por, Shqipëria ishte e gjelbër. Nuk kishte ndotje nga karburantet, dhe ajri ishte i freskët dhe i pastër. Por, as liri nuk kishte.

Rrugët dhe trotuaret ishin gjithashtu të pastra. Nuk kishte mbeturina sepse nuk kishte asgjë për të blerë ose hedhur. Nuk kishte dyqane, bare, kafene apo restorante. Nuk kishte vende për njerëzit që të mblidheshin. Parqet ishin të gjelbra, por në to nuk kishte njerëz.

Kishte një sistem të gjerë të spiunazhit të brendshëm ku fqinjët survejonin fqinjët.

Nuk kishte as aeroplanë. Avionët ishin zhdukur, ashtu si neo-socialistët Markey dhe Ocasio-Cortez duan të shohin të ndodhë në Shtetet e Bashkuara.

Komunistët nuk donin asnjë të huaj në vendin e tyre. Një vëzhgim i shkurtër i një amerikani ose perëndimori të lirë mund t’u ndërronte mendjen njerëzve.

Aeroporti i Tiranës, i rrethuar nga fushat e misrit, ishte gjithashtu i gjelbër. Madje edhe katër MIG-ët rusë të parkuar në një cep të largët të pistës bosh u mbuluan me kamuflazh të gjelbër.

Unë shkova në Shqipëri në gusht të vitit 1986, në bordin e një Saab Fairchild 340 me 30 vende, i cili e bënte dy herë në javë fluturimin turbulent nga Zurihu përmbi Alpet zvicerane. Në bord ishin katër gjermanë të Lindjes, tre shqiptarë dhe unë. Unë isha gazetari i parë amerikan, që punonte për Boston Herald, i lejuar të hynte në vend në 30 vjet. M’u dha viza sepse Hoxha kishte vdekur një vit më parë dhe se, siç konkludova, prindërit e mi janë lindur në Shqipëri.

Kur mbërrita, mendova se koha ishte ndalur. Ngjante më shumë si 1936 se 1986.

Por, Shqipëria nuk ishte vetëm vendi më i pastër në të cilin kisha qenë, por edhe më i palumturi.

Shikova nga dritarja e hotelit në Sheshin e Madh Skënderbej në qendër të Tiranës një mëngjes herët. Ishte i zbrazët. As njerëz, as makina, as biçikleta, as kuaj, as gomerë, asgjë. Sa agoi, ca njerëz dolën nga mjegull për të pastruar rrugët. Nuk kishte fshirëse rruge të mekanizuar, por një numër grash të moshuara që mbanin fshesa të bëra vetë dhe kova uji. Ato u zhvendosën në rrathë magjepsës, rrathë pas rrathësh, dhe ritualisht spërkatën ujin në rrugë për të tulatur pluhurin para se të fshinin.

Çdo gjë ishte falas në Shqipëri. Komunistët kontrollonin gjithçka, që nga lindja në vdekje – kujdesin shëndetësor, i varfër siç ishte, arsimimi i mbushur me propagandë, ushtria e madhe, e cila mund të humbte rrugën në një thes letre, feja, që u ndalua, shtypi i lirë, i cili nuk ekzistonte dhe burgjet të mbushura me disidente.

Organizata e vetme që punonte, përveç Sigurimit, ishte grupi i grave të vjetra që pastronte rrugët.

Por, vendi ishte i gjelbër, i gjelbër si bari.

Markey dhe Ocasio-Cortez do të ishin gjelbëruar nga zilia.

*Autori është gazetar amerikan me origjinë shqiptare. Ka punuar për disa gazeta në Boston, një nder to edhe Boston Globe. E ka vizituar shpesh Shqipërinë dhe ka shkruar disa libra për të. Ky Op Ed është shkruar për gazetën Lowell Sun.