Kryesore Qëndrimi i ri i Athinës: Të zbatohen të drejtat edhe për shqiptarët

Qëndrimi i ri i Athinës: Të zbatohen të drejtat edhe për shqiptarët

Politika e jashtme greke vazhdon ta kushtëzojë hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE, me minoritetin grek që jeton atje.

Në raportimin në parlament të programit të politikës së jashtme, shefi i diplomacisë greke Nikos Dendias përmendi 5 prioritetet bazë, por në dallim nga qeveria paraardhëse, nuk përmendi vetëm të drejtat e minoritetit grek, por edhe ato të qytetarëve shqiptarë, pa plotësimin e të cilave qeveria e zotit Rama nuk merr dritën jeshile.

“Shqipëria vazhdon të mos përmbushë detyrimet në raport me të drejtat minoritare dhe pronësore të minoritetit etnik grek. Prandaj, në kuadër të hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë (për çka BE ka shtruar kushte të qarta), do të vazhdojmë të mbikqyrim ngushtësisht përmbushjen nga Shqipëria të pesë kritereve bazike. Do të vazhdojmë të mbikqyrim ngushtësisht respektimin me vepra të të drejtave të njeriut. Për gjithë qytetarët shqiptarë, përfshirë të drejtat e pronës të minoritetit autokton grek”, ka deklaruar Dendias.

Pavarësisht kundërshtimit të manifestuar nga pozicioni i opozitës, qeveria e re greke, duket se ka ndryshuar qasje për marrëveshjen e Prespës.

“Qëllimi ynë është që të bëjmë gjithçka që është e mundur për të pakësuar pasojat negative të marrëveshjes. Do të synojmë thellimin e marrëdhënieve me fqinjin tonë verior, në kuadër të bashkëpunimit me dobi reciproke. Mirëpo nuk do të tolerojmë fenomene të mosrespektimit të plotë të marrëveshjes”, tha ai.

Pas debatit parlamentar që ka filluar të shtunën, qeveria e Kyriakos Mitsotakisit pritet të marrë votëbesimin mesnatën e të hënës.