Extra Qeni besnik në pritje të Emilianos

Qeni besnik në pritje të Emilianos

Motra e Emiliano Salas ka shpërndarë në Facebook një foto prekëse ku duket qeni i futbollistit që po pret për të zotin në shtëpinë e tij, edhe pse fatkeqësisht mundësitë që ai të ketë shpëtuar i gjallë nga aksidenti me avion janë thuajse zero.

Avioni me të cilin argjentinasi dhe piloti po kalonin kanalin e La Manshit u gjet në fund të detit pranë brigjeve të Guernseyt, ndërsa kërkuesit kanë konfirmuar se brenda gjendet një trup, që mund të jetë i lojtarit 28-vjeçar, ose i pilotit David Ibbotson, 59 vjeç.

Motra e sulmuesit të Cardiff City, Romina, shpërndau foton e qenit Nala me të cilin Emiliano ishte shumë i lidhur, duke shkruar: “Nala po të pret”.

Qeni besohet se është një prej arsyeve pse Sala u rikthye në Francë pasi firmosi me Cardiff, duke u përshëndetur më pas edhe me shokët e skuadrës te Nantes para se të rimerrte rrugën për në Uells.