Aktualitet Qeveria bën gati pr/ligjin për kultivimin e kanabisit, krijon Agjencinë për monitorimin...

Qeveria bën gati pr/ligjin për kultivimin e kanabisit, krijon Agjencinë për monitorimin dhe kontrollin

Qeveria bën gati pr/ligjin për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale.

Qeveria ka krijuar këtë të enjte Agjencinë Kombëtare e Kontrollit dhe Monitorimit të Kultivimit dhe Përpunimit të bimës së kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale dhe Prodhimit të Nënprodukteve të saj.

Agjencia garanton përdorimin dhe mbjelljen, nga subjektet e licencuara, të farërave dhe fidanëve të importuar apo prodhuar në vendin tonë.

Licenca do të jetë një e vetme dhe do t’i jepet aplikantit, i cili përzgjidhet i pari në procesin e konkurrimit, të zhvilluar sipas procedurave të përcaktuara në ligj.

Krimi i kësaj agjencie, vjen pas Këshillimit Kombëtar të realizuar nga qeveria pak muaj më parë, ku sipas rezultateve të dala, 61% e të anketuarve u shprehën pro legalizimit të kanabisit për qëllime mjekësore.

Në bazë të të dhënave të sondazhit të nisur nga data 19 janar-31 mars, rreth 309 mijë nga mbi 500 mijë shqiptarë të anketuar, iu përgjigjën pro pyetjes së shtruar nga qeveria: nëse duhet lejuar kultivimi, përpunimi dhe eksportimi i kontrolluar nga shteti i kanabisit për qëllime mjekësore.

Ndërkohë, 29% e tyre (148,092 qytetarë), mendonin se kanabisi nuk duhet të legalizohet, teksa 10% (51,051) nuk gjykuan për këtë çështje.