Bota Qeveria britanike në rrezik përgjimi nga Rusia?

Qeveria britanike në rrezik përgjimi nga Rusia?

Britania e Madhe është në rrezik përgjimi nga autoritetet ruse, të cilat mund të shfrytëzojnë anti-virusin Kaspersky, për të ndërhyrë në sistemet qeveritare. Alarmi vjen nga Qendra për Sigurinë Kibernetike në vendin ishullor, e cila paralajmëroi departamentete qeveritare të ndalojnë së përdoruri software-in e njohur, pasi cënohet siguria kombëtare.

Përmes një letre drejtuar autoriteteve britanike, shefi i sigurisë kibernetike tha se Moska ka si qëllim të sulmojë qeverinë qendrore dhe infrastrukturën e vendit. Ai i quajti rusët një rrezik shumë i aftë kiberntik, i cili shfrytëzon programe kompjuterike për spiunazh, përçarje dhe operacione influence.

Kaspersky është software më i përdorur në Britaninë e Madhe dhe ka rreth 400 milionë abonentë në të gjithë botën. Kompania ruse e anti-virusit është akuzuar edhe në Shtetet e Bashkuara se është përdorur nga Moska për qëllime spiunazhi.

Shefi ekzekutiv i anti-virusit, Eugene Kaspersky, mohoi çdo lidhje të kompanisë me Kremlinin, madje u shpreh se nëse autoritetet ruse do ta kontaktonin për të përgjuar, ai do të largohej nga vendi.