Kosova Qeveria e Kosovës për emigrantët afganë: Jemi në komunikim me SHBA

Qeveria e Kosovës për emigrantët afganë: Jemi në komunikim me SHBA

Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se prej një muaji është në bisedime me autoritetet amerikane për strehimin e përkohshëm të afganëve të cilët kanë bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Qeveria është shprehur për mediat kosovare se janë duke u trajtuar me kujdes detajet që kanë lidhje me këtë çështje.

“Që nga mesi i Korrikut jemi në komunikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me autoritetet shtetërore dhe ushtarake amerikane për këtë çështje të dhimbshme e të ndjeshme. Ka shumë punë logjistike e teknike, të sigurisë dhe sociale, që po i trajtojmë me kujdes. ShBA-të janë aleati ynë kryesor dhe partneri ynë strategjik. Gjithçka do të përmbyllet mirë”, ka bërë të ditur shefi i stafit të kryeministrit, Luan Dalipi.

Rreth 1 mijë e 200 afganë janë evakuuar në SHBA dhe ky numër pritet në rritet në 3 mijë e 500 në javët e ardhshme, nën operacionin e ‘Aleatëve Refugjatë’.

Ramush Haradinaj pro strehimit të emigrantëve afganë në Kosovë

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj mbështeti qëndrimin e qeverisë shqiptare për pritjen e emigrantëve afganë.

Ai tha përmes një postimi në Facebook se edhe Kosova duhet të kujdeset për strehimin e përkohshëm të shtetasve nga Afganistani dhe të jetë pranë SHBA-së.

Haradinaj përmendi riatdhesimin e shtetasve të Kosovës nga Siria ku SHBA tregoi mbështetjen e saj.

“Kosova të jetë vullnetare në strehimin e disidentëve afganë dhe të jetë pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ashtu siç ishin ata pranë nesh, kur riatdhesuam shtetasit e Kosovës nga Siria!”, thekson Haradinaj.