Bota Qeveria e re italiane betohet pasdite, reagon Salvini: Nuk do të zgjasë...

Qeveria e re italiane betohet pasdite, reagon Salvini: Nuk do të zgjasë shumë

Kryeministri i mandatuar i Italisë Xhuzepe konte prezanton sot në Presidencë qeverinë e tij të re, për të cilën është rënë dakord dje përmes marrëveshjes së arritur nga Lëvizja 5 yjet dhe PD. Sipas mediave italiane lideri i Lëvizjes me Pesë Yje, Luixhi di Maio, do të jetë ministër i jashtëm në këtë ekzekutiv të dytë të Kontes. Ndërsa Franceskini do marrë ministrinë e mbrojtjes. Ende nuk është vendosur për zëvendës/kryeministrat. Një ditë më parë anëtarët e lëvizjes me pesë yje miratuan online me 79.3 për qind marrëveshjen mes partisë së tyre dhe asaj demokrate të cilat do të qeverisin së bashku.

Sipas zërave brenda radhëve të demokratëve çdo gjë është vendosur dhe koalicioni qeverisës përbëhet nga forca që do të nxjerrin vendin nga kriza. Ata këmbëngulin se do të jenë të barabartë dhe qeveria e re do të ketë shumë dinjitet

Ndërkohë kreu i grupit parlamentar i Partisë Demokratike u shpreh se nuk do të jetë pjesë e qeverisë, por ishte shumë i gëzuar për faktin se ekzekutivi është në lartësinë e duhur për t’u përballur me sfidat që presin vendin.

Lideri i Legës, Mateo Slavini reagoi ashpër duke paralajmëruar se kjo qeveri nuk do të zgjasë shumë dhe se ai do të kishte preferuar që të ishte kërkuar vota e 60 milion italianëve. Me anë të një videoje të publikuar në Facebook Salvini u shpreh se Renzi dhe Grilo po ndajnë ministritë mes tyre dhe se ai ishte shumë i lumtur që nuk ishte pjesë e këtij pazari, te cilin e ai e cilëson si “treg bagëtish”.

Madje ai e konsideroi veten naiv sepse kishte nënvlerësuar urinë për pushtet dhe poste, por që gjithsesi herët ose vonë fjala do i kthehet sërish popullit.

Ai premtoi se do të rimarrë vendin dhe se tani ishte më i zemëruar dhe më i motivuar se më parë për të qenë në krye të qeverisë.