Ekonomi Qeveria favorizon kompanitë e karburanteve? Ibrahimaj: Ju sfidoj ta vërtetoni

Qeveria favorizon kompanitë e karburanteve? Ibrahimaj: Ju sfidoj ta vërtetoni

Gjatë një konferencë për shtyp ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Përsa i përket Bordit të Transparencës, ministrja Ibrahimaj ka thënë se është e pa vërtetë fakti se bordi merr vendime jo në bazë të ecurisë së bursës, por në bazë të interesave të kompanive të shitjes së karburanteve.

“Bordi i Transparencës i cili vendos çmimet e tregtimit të hidrokarbureve tashmë po bëhet një vit që po operon. Unë ju sfidoj ju dhe këdo tjetër të vërtetoni atë që mediat kanë thënë dhe rithënë në raste të përsëritura. Ju supozoni që bordi merr vendimet jo në bazë të ecurisë së bursës, por në bazë të interesave të cilat janë në fakt inekzistente.

Që në fillimin e  operimit të bordit ne kemi ulur marzhet tregtimit të hidrokarbureve dhe këto efekte janë të matshme dhe janë të llogaritshme nga çdo qytetar, çdo ekonomist që mund të kërkojë informacione. Ne kemi ulur marzhin ndjeshëm më shumë sesa në gjysmën e marzheve që operoheshin një vit më parë. Nga ana tjetër ju thoni që nuk reflektojmë çmimet e bursës. Ju mund t’i referoheni çmimeve të bursës së naftës bruto, pra Crudo Oil të cilat kanë luhatje të ndryshme nga çmimet e bursës të cilës ne i referohemi, tek e cila kompanitë shqiptare tregtojnë dhe me çmimin që ato e blejnë.

Ne përdorim Platts S&P dhe mbi atë çmim aplikojmë marzhet e fitimit, taksat dhe një element shumë i rëndësishëm i cili nuk kalkulohet asnjëherë dhe nuk merret në konsideratë asnjëherë, është dhe ecuria e kursit të këmbimit. Hidrokarburet përgjithësisht tregtohen në Dollarë dhe ju me siguri e dini që gjatë këtij viti  Leku është vlerësuar ndaj Dollarit për hir të gjithë funksionimit të tregjeve ndërkombëtare.

Pra një element shumë i rëndësishëm i cili kalkulohet çdo ditë në kalkulimet e bursës është dhe kursi i këmbimit. Unë do ju marr rastin e të premtes së kaluar ku në fakt çmimi i bursës së hidrokarbureve u rrit, por kursi i këmbimit ishte favorizues dhe çmimi i tregtimit të hidrokarbureve në  vend u ul, ndonëse bursa ishte e rritur.

Kur bëhet një analizë duhet bërë me të gjithë komponentët e saj, bordi funksionon në bazë të një ligji i cili është detyrim për çdo anëtar të bordit dhe unë me përgjegjësi të plotë ju them që aludimi që ju bëni nuk është i saktë dhe është jo korrekt”, është shprehur ministrja Ibrahimaj.