Ekonomi Qeveria ka vendosur të auditojë vetveten, Gjykata Kushtetuese ia miraton

Qeveria ka vendosur të auditojë vetveten, Gjykata Kushtetuese ia miraton

Në një vendim të paprecedent e paradoksal, Gjykata Kushtetuese ka lënë sot në fuqi një vendim që lejon kompanitë private të auditojnë financat e qeverisjes vendore.

Ligji në fjalë u ankimua nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, por është hedhur poshtë me vendimin e sotëm.

Po çfarë thotë Neni 50 i ligjit për Auditimin e Jashtëm?

Sipas ligjit, KLSH-ja dhe Ministria e Financave do auditonin së bashku financat e 61 bashkive në vend, por ligji parashikonte se për një pjesë të bashkive që do auditoheshin, do merreshin auditues privat.

Ky ligj në formën që ishte u atakua nga KLSH-ja në Gjykatën Kushtetuese duke u bazuar në dy argumente.

A – Ministria e Financave është vetë subjekt që auditohet nga KLSH-ja.

B – Përfshirja e kompanive private është rast i paprecedent, sepse jepen para nga buxheti i shtetit për të kontrolluar financat e qeverisjes vendore nga kompani private.

Nga ligji i lënë sot në fuqi nga Gjykata Kushtetuese ka vetëm dy palë përfituese.

Njëra janë kompanitë private që do përfitojnë para nga buxheti i shtetit për të audituar financat e qeverisjes vendore dhe pala tjetër janë zyrtarët e bashkive të lidhura me qeverinë, që do avokatohen nga përfaqësuesit e Ministrisë së Financave.

Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese, që ka hedhur poshtë argumentet e KLSH-së për ligjin në fjalë, është një rast i paprecedent. Më poshtë është vendimi i zbardhur i Gjykatës Kushtetuese për ligjin ‘Për financat e qeverisjes vendore’.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, mori në shqyrtim në seancën plenare të datës 23.02.2021, çështjen me kërkues Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, me objekt: “Shfuqizimi, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, i nenit 50, pikat 1 dhe 2, të ligjit nr. 68/2017 “Për financat e qeverisjes vendore”. Pezullimi i zbatimit të nenit 50, pikat 1 dhe 2, të ligjit nr. 68/2017 “Për financat e qeverisjes vendore”, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese”.

Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese,

VENDOSI:

– Rrëzimin e kërkesës.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Neni 50 i ligjit mbi Auditimin e Jashtëm, që mbetet në fuqi pas vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese

Neni 50

Auditimi i jashtëm

Veprimtaria financiare dhe zbatimi i buxhetit vjetor të njësive të vetëqeverisjes vendore u nënshtrohen çdo vit auditimit të jashtëm.

Auditimi i jashtëm realizohet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ose auditues të tjerë ligjorë.

Ministri i Financave dhe Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit përcaktojnë me udhëzim të përbashkët rastet kur auditimi realizohet nga auditues të tjerë ligjorë, si dhe procedurat, afatet dhe standardet e auditimit të jashtëm nga këta auditues.

Kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore e dërgon raportin e auditimit të jashtëm në këshillin e njësisë së vetëqeverisjes vendore si pjesë e raportit vjetor të konsoliduar të zbatimit të buxhetit vendor. Një kopje e këtij raporti i dërgohet Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Ministrisë së Financave.

Për të gjitha raportet e auditimit të jashtëm, të kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit apo auditues të tjerë ligjorë, kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore përgatit një plan veprimi për zbatimin e rekomandimeve të raportit të auditimit dhe raporton rregullisht në këshillin e njësisë për progresin në zbatimin e tij.