Aktualitet Qeveria miraton kontratën, dronët turq “Bayraktar” së shpejti në Shqipëri

Qeveria miraton kontratën, dronët turq “Bayraktar” së shpejti në Shqipëri

Qeveria shqiptare ka miratuar sot vendimin për blerjen e një flote të avionëve ushtarakë pa pilot nga kompania turke “Bayraktar”.

“VENDIM Nr. 336, datë 31.5.2023 PËR MIRATIMIN E KONTRATËS, NDËRMJET MINISTRISË SË MBROJTJES SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BAYKAR MAKINA SAN. VE. TIC. A.Ş, PËR FURNIZIMIN ME SISTEM MJETESH AJRORE PA PILOT BAYRAKTAR TB2

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës; të pikave 1, shkronjat “dh” e “i”, dhe 2, të nenit 5, të ligjit nr. 36/2020, “Për prokurimin në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë”, dhe të pikës 2, të nenit 12, të vendimit nr. 1085, datë 24.12.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave për lidhjen e kontratave për blerjen e pajisjeve/mjeteve të projektuara posaçërisht ose të përshtatura për qëllime ushtarake, si dhe armët, municionet apo materialet luftarake për qëllime operacionale, përfshirë teknologjinë dhe softëare-t e lidhura me këto mallra, si dhe për përbërjen, mënyrën e organizimit e të funksionimit të komisionit të veçantë të klasifikimit të këtyre kontratave”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

  1. Miratimin e kontratës, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe BAYKAR MAKINA SAN. VE. TIC. A.Ş., për furnizimin me sistem mjetesh ajrore pa pilot BAYRAKTAR TB2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
  2. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

ZËVENDËSKRYEMINISTËR Belinda Balluku”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, në prani të kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Mbrojtjes, përfaqësuesve të firmës turke ‘Bayraktar’, Ambasadorit të Republikës së Turqisë u nënshkrua në Tiranë marrëveshja për sigurimin e avionëve luftarakë pa pilot me firmën e njohur turke ‘Bayraktar’.

Interesim për dronët turq Bayraktar kanë shprehur edhe shtetet tjera, pasi ky mjet ka treguar sukses në disa fushëbeteja, përfshirë Ukrainën dhe Azerbajxhanin.

 

Të paktën 36 dronë të llojit TB2 janë blerë nga forcat e armatosura ukrainase.

Droni TB2 është zhvilluar në Turqi nga Selcuk Bayrakar, i diplomuar në Institutin e Teknologjisë të Masaçusetsit. Ai krahasohet me amerikanin Elon Musk, për avionin unik ushtarak që ka zhvilluar dhe për një prani në rrjetet sociale, ku shpesh është i egër ndaj kritikëve të tij.

Bayraktar, i cili është shef i teknologjisë në kompaninë e mbrojtjes “Bayraktar”, më 2016 është martuar me vajzën e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ku ka qenë dëshmitar, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Bayraktar TB2 mund të qëndrojë në qiell deri në 27 orë dhe kjo mundësohet nga një motor i thjeshtë me helikë dhe po ashtu mund të fluturojë deri në 150 kilometra nga baza e tij. Kjo fluturake, po ashtu, mund të pajisjet me katër raketa të llojit të “mikro municioneve të mençura”, që janë mjaft të sakta për të shkatërruar automjete të blinduara nga disa kilometra distancë.

Dronët TB2 janë përdorur nga Turqia në ato që ajo i quan operacione “kundër terrorizmit” kundër militantëve kurdë, por edhe në luftën civile që ende po vazhdon në Libi. Por, ndikimi i tyre shkatërrues u pa gjatë konfliktit të vitit 2020 mbi rajonin e kontestuar të Nagorno Karabakut, kur dronët TB2 u përdorën nga Azerbajxhani kundër forcave etnike armene.

Por, ky dron shihet si revolucionar për shkak të kostos realitivisht të lirë dhe disponueshmërisë së lehtë. Dronët e mëdhenj ushtarakë të prodhuar nga Shtetet e Bashkuara, sikurse MQ-9 Reaper, kushtojnë dhjetëra-miliona dollarë dhe madje shtetet që mund të përballojnë një teknologji të tillë ka pak gjasa që mund t’i blejnë këto fluturake.