Opinione Qeveria taktike që po presin!

Qeveria taktike që po presin!

Ka disa ditë që së paku tre kryetarë partie, së fundmi opozitarë, dhe kryeopozitari Berisha, i kanë bërë thirrje Ilir Metës të largohet nga qeveria, t’i bashkohet opozitës, me qëllim që të krijojnë një “qeveri teknike”, e cila i qetëson për zgjedhjet e reja. Nuk dua t’i hyj debatit, nëse e kanë vënë në siklet Ilir Metën, apo janë vënë në siklet që ai nuk po u përgjigjet, por kërkesa të tilla publike nuk mund të shiten për qeveri teknike, por për qeveri politike të pakicës.

Thirrjet janë legjitime dhe janë pjesë e debatit politik, por për të bërë një qeveri teknike, duhet t’i bësh thirrje kryeministrit të japë dorëheqje dhe të bëhet pjesë e zgjidhjes së re dhe jo një aleati të tij.

Kur i drejtohesh aleatit të tij me të cilin shpreson se bën numrat në Kuvend, atëherë je duke identifikuar një shumicë të re dhe jo një shumicë që mbështet një qeveri teknike. Qeveria teknike është një formulë që bazohet në një marrëveshje kombëtare të gjithë palëve dhe jo të opozitës. Në vitin 1991, Partia Demokratike arriti të prodhojë një qeveri teknike pasi doli vetë nga qeveria e Stabilitetit Kombëtar ku kishte hyrë në Korrik të atij viti duke e rrëzuar atë. Kjo çoi në një Marrëveshje të re për qeveri teknike. Pra është qeveria ajo që merr iniciativa për “qeveri teknike” dhe jo pakica.

Kurse mënyra se si po vepron opozita e sotme, nuk ka të bëjë me kërkesën për qeveri teknike, por me faktin që ata pa dashje po artikulojnë në publik atë që kanë rënë dakord pas perdeve, për një qeveri të pakicës.

Kjo është një çështje tjetër dhe nuk ka të bëjë me qeverinë teknike. Nëse opozita arrin të bindë Ilir Metën për qeveri pakice, kjo është punë e tyre, por kjo nuk e dëmton Edi Ramën dhe as e detyron atë të mbështesë ndonjë qeveri teknike. Qoftë edhe si përpjekje, kjo e ndihmon atë të viktimizohet në këtë histori dhe t’i tërheqë zvarrë ata drejt zgjedhjeve të reja.

Nuk jam shumë dakord me llogaritë me gishta që bëjnë për numrin 71 në Kuvend dhe as për faktin që opozita mund të blejë deputetë të shumicës apo e kundërta. Nuk më duken atraktive as lëvizjet e prokurorisë që më shumë e ka mendjen tek shifra 71 në Kuvend se sa tek shenjat e gishtave. Kjo është një qeveri politike mes PS dhe LSI, dhe nëse LSI ikën nga qeveria, për çfarëdo arsye që të ketë qejf, atëherë nuk bëhet fjalë për qeveri teknike, por një taktikë të re të saj, e cila përgënjeshtron gjithë shqetësimet e opozitës për zgjedhje të reja. Ajo mund të quhet qeveri taktike, por jo teknike.

Përtej këtij debati, e vetmja gjë pozitive që shikoj është se Lulzim Basha ka filluar të besojë vërtet që mund të bllokojë zgjedhjet dhe reformën në drejtësi dhe kjo ka filluar t’i duket si varka e shpëtimit nga posti i kryetarit të opozitës pas 18 Qershorit. Dhe unë mendoj se mund t’ia dalë ta shpëtojë karrigen e tij nëse ka fuqi ta mbajë PD jashtë garë. Kjo do të thotë se ai ka arritur t’i gjunjëzojë gjithë kritikët e tij brenda PD që kanë qenë kundër bojkotit. Nëse e mban PD larg zgjedhjeve, nëse e shmang atë nga ballafaqimi me kundërshtarët, ai e ka më të sigurtë postin e kryetarit, edhe për faktin se PD mund të mos i duhet më askujt në ato kushte.

Por para se të bëhen realitet ëndrrat e tij, duhet të ndërrojë terminologjinë. Kur i lutet Ilir Metës të bashkohet me të “për qeveri teknike, është duke nervozuar mbi të gjitha Ilir Metën, pasi e bën atë pjesë të një plani që dhe nëse është konsumuar në konfidencë, nuk është mirë të bëhet publik, pa bërë gjë. Edhe qeveria e pakicës është legjitime nëse ia del, vetëm se dikush duhet t’i thotë se nuk është qeveri teknike. Qeveria teknike është në dorë të kryeministrit, kurse qeveria taktike, në planet e opozitës. E para nuk ka shanse të bëhet. E dyta bën qesharake kauzën false të “zgjedhjeve të lira”, dhe e bën Lulzim Bashën nga vartës të Berishës, në vartës të Ilir Metës. Nuk është keq. Më mirë ka për t’i dalë si shef i ri.