Shëndet Qumështi i gjirit mund të bëhet arma kundër Covid-19

Qumështi i gjirit mund të bëhet arma kundër Covid-19

Shkencëtarët rusë kanë një shpjegim pse koronavirusi nuk prek bebet. Arsyeja mund të jenë proteinat që gjenden në qumështin e gjirit, që mbrojnë sistemin e tyre imunitar. Pikërisht bazuar mbi këto gjetje po punohet për një ilaç të ri.

Igor Goldman, studiues i njohur në Institutin e Biologjisë Gjenetike të Akademisë së Shkencave të Rusisë, thotë se ekipi i tij po punon me laktoferrinën – proteinë e cila normalisht gjendet në qumështin e gjirit që ndihmon sistemin imunitar të pazhvilluar të foshnjave të luftojë bakteret dhe viruset.

Laktoferrina në thelb vepron si stimulues imuniteti, që do të thotë: mund të përmirësojë shumë aftësinë e njeriut për të luftuar viruset dhe bakteret, jo vetëm tek foshnjat, por edhe tek të rriturit. Shkencëtarët rusë kanë kohë që studiojnë mundësinë e aplikimit mjekësor të proteinave.

Së bashku me kolegët e tyre bjellorusë, ata kanë zhvilluar një proteinë të modifikuar në gjen, identike me atë njerëzore, por të nxjerrë nga qumështi i dhisë në vitin 2007. Proteina, e quajtur neolactoferrin, thuhet se ka veti anti-bakteriale, anti-virale dhe anti-kërpudhore. Në testet klinike, ajo ka treguar kapacitet për të penguar aktivitetin e viruseve të tillë si rotavirus, hepatit C dhe HIV, si pjesë e testeve laboratorike. Studiuesit rusë besojnë se kjo mund të ndihmojë madje edhe në luftimin e superbaktereve, siç njihen ndryshe bakteret rezistente ndaj antibiotikëve modernë.

Ideja për ta përdorur këtë proteinë kundër një infeksioni viral siç është Covid-19 ka në bazë një studim dekadash të tëra mbi neolaktoferrinën.

Shkencëtarët besojnë se proteina mund të stimulojë imunitetin adaptiv te njerëzit që vuajnë nga Covid-19, duke lehtësuar simptomat. Ai gjithashtu mund të mbrojë teorikisht njerëzit e shëndetshëm nga infeksioni dhe potencialisht të veprojë në mënyrë të ngjashme me një vaksinë. Kjo për shkak se laktoferrina normalisht parandalon që një virus të bashkohet me një qelizë dhe të riprodhohet.