Aktualitet Qytetaria nën dritën e zjarreve të gushtit

Qytetaria nën dritën e zjarreve të gushtit

Çapajev Gjokutaj

Dy lajme të klikuara me shumicë: Një këngëtar lirik iku të punojë në Australi dhe e shau Shqipërinë. Një çift muzikantësh u shpërngulën në Amerikë, por nuk e shanë Shqipërinë. Në portale e rrjete sociale shpërthejnë komentet me qortime e të shara. Diare verbale në pisk të vapës. Aradha patriotësh nisen hapësirave virtuale të internetit për të mbrojtur mëmëdhenë nga ai i Australisë.

Të kujtohet kjo zallamahi ndërsa udhëton nga jugu në veri. Gjithandej horizonteve s’ka avuj e re, por shtëllunga tymi.

Shqipëria po digjet. Jo virtualja, realja. Mbase s’do të ishte në flakë, po të ndjenim vetëm gjysmën e përgjërimit, që shprehim për të në rjetet sociale.

Si të mos mjaftonte ky grotesk absurd, njerëzia nuk lodhet së diskutuari për politikanët dhe nuk lejon kënd të ikij nga vatha e politikës.

Ti je oportunist, të shkruan një zonjushë. Vendi digjet nga zjarret e gushtit, kurse ti s’ke çi bën gomarit, ndaj i turrej samarit e thua: Ç’bëjnë qytetarët?.

Duhet t’u sulesh qeveritarëve, shton ajo, ata t’i dalin zot. Taksat na i marrin deri tek qindarka e fundit.

Ti nuk ke fajësuar qytetarët. Ke shkruar vetëm ca pak fjalë për patritotizmin virtual që harliset rjeteve e sociale, por përgjumet në jetën reale.

Gjithsesi, përtej zjarreve e flakëve të gushtit, zonjusha prek një problem jetik: Ç’duhet të bëjë me përparësi ligjërimi publik? Të demaskojë ata që janë lart, apo të përpiqet të zgjojë ndërgjegjen qytetare?

Natyrisht, edhe njerën edhe tjetrën. Por krijimi i ndërgjegjes qytetare shpesh merr më shumë peshë.

Kemi 100 e kusur vjet që përpiqemi të bëjmë shtet dhe na ngjan vetja si vëllezërit e kalasë së Rozafës: ç’bëjmë ditën, rrëzohet natën.

Gjithë këtë kohë, fatmirësisht nuk kanë munguar zërat publikë që kanë fshikulluar ata që janë lart: ‘Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,/ të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!’

Maskarenjtë i kemi patur me shumicë. Hakërrimat kundër tyre nuk na kanë munguar. Ajo që na ka munguar e na mungon është qytetari dhe qytetaria. Ose thënë ndryshe lenda e parë për të ndërtuar demokraci.

Qysh prej 10 mijë e kusur vjetësh, bota ka patur me shumicë solinj, mbretër, princër, zengjinë që kanë qeverisur si ua ka thënë koka e si ua ka dashur qejfi.

Por demokracitë funksionale zunë të ndërtohen vetëm dy shekujt e fundit, kur në skenë doli qytetari dhe nisi të ushtronte trysni e të kërcënonte me bashkësi, sindikata, greva, protesta, votë dhe, jo rrallë edhe me armë.

Në kohën tonë, hakërrimat ndaj atyre që janë lart mbeten fjalë boshe, llapje qaramanësh po qe se mungojnë qytetari dhe qytetaria.