Aktualitet Rakacolli shpjegon pse u vendos për dozë të tretë: Anti-trupat nuk janë...

Rakacolli shpjegon pse u vendos për dozë të tretë: Anti-trupat nuk janë baras me imunitetin

Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve Mira Rakacolli ka shpjeguar si do të bëhet vaksinimi me një dozë të tretë vaksine anti-COVID. E ftuar në emisionin “Publikisht” në RTSH me gazetaren Blerta Tafani, Rakacolli deklaroi se kjo dozë të aplikohet te kategoria +60 vjeç, pasi kanë kaluar të paktën 6 muaj nga dy dozat e para.

“Ka të dhëna që tek ata që janë me rënie të imunitetit mund të ketë nevojë për të marrë një dozë rikujtese. Kryesorja është që nuk dëmton dhe që është efikase për mbrojtje. Duhet jenë mbi 60-vjeç, që janë të rrezikuar dhe kanë minimumin 6 muaj që kanë bërë dozën e dytë. Të gjitha detajet në udhëzimin e ISHP”, deklaroi Rakacolli.

Ajo u shpreh se anti-trupat që kanë individë të caktuar në trup nuk janë të barabartë me imunitetin. Sipas saj ka pasur raste kur persona me nivele të lartë anti-trupash në trup janë infektuar dhe e anasjellta.

“Anti trupat nuk janë baras me imunitetin. Ka raste me nivele të lartë anti trupash që janë infektuar dhe ka raste me nivele të ulët anti trupash që janë mirë. Nuk janë prekur. Gjërat kanë ndryshuar. Informacioni për COVID ndryshon në kohë. Fakti që u vu doza e tretë u bazua pikërisht sepse nuk dihet sa zgjat”, tha ajo.