Aktualitet Rakipi: Në televizione po dalin të çmendur dhe thonë nuk ka virus

Rakipi: Në televizione po dalin të çmendur dhe thonë nuk ka virus

Gazetari Ylli Rakipi, ka qenë i ftuar në emisionin ”Në fokus” në TV T, ku ndër të tjera, ka folur edhe për pandeminë dhe shtimin e rasteve të personave me Covid-19 në Shqipëri.

Rakipi tha se shteti duket totalisht i dorëzuar dhe se në televizionet shqiptare, kanë filluar të shfaqen të çmendur që bëjnë propagandë të rrezikshme, duke deklaruar se virusi nuk ekziston, duke nxitur njerëzit të mos marrin masa.

“Deri sot, në pak muaj, kemi patur dy Edi Rama. Njëri që na u bë pjesëtar i familjes, që na dilte për të thënë, lani duart dhe lani këmbët, një njeri që na u bë tmerr i madh, që drejtonte gjithçka, hapte dhe mbyllte gjithçka. Nga kjo gjendje, ai tani është zhdukur fare, nuk ekziston, as ai dhe as shteti. Në një kohë kur pandemia në Ballkan, ka marrë përmasa të frikshme. Shteti duhet të funksiononte, por shteti nuk është fare. Meqenëse e ka lëshuar “i madhi”, atëherë nuk ka institucione fare.

Janë mbledhur të çmendurit e Shqipërisë dhe thonë, që do na bëjnë vaksinë dhe do na fusin çipin dhe njeriu do të bëhet 10 metra i gjatë… Këto i thonë në televizionet kombëtare të vendit. Në një vend tjetër, shkon në burg për këtë lloj propagande. Edhe televizioni penalizohet, por edhe i çmenduri shkon në çmendinë, aty ku e ka vendin.

Këtu gjendja është katastrofale. Ky është terrorizëm, që dalin njerëz në televizione kombëtare dhe thonë nuk ka koronavirus. Këta të çmendur i kanë mbushur mendjen një pjese të njerëzve. E gjithë kjo propagandë del në televizionet kryesore të vendit dhe kjo nuk ndalohet. Një shtet i pafuqishëm, për të kryer edhe veprimet më të rëndomta. Këta i bëjnë dëm, një pjese të madhe të popullsisë, që i dinë të vërteta të gjitha këto gjëra“, tha Rakipi.

Gazetari u shpreh se mosveprimi i shtetit, lidhet me faktin se Shqipëria ndodhet në një gjendje ekonomike të vështirë dhe se nuk ka një strategji për t’u marrë seriozisht me virusin.