Politika Rama: 15 vite burg kush provokon vdekjen e të tjerëve. Nga java...

Rama: 15 vite burg kush provokon vdekjen e të tjerëve. Nga java tjetër masa lehtësuese

Kryeministri Edi Rama, ndërsa komentoi ndryshimet në Kodin Penal, për shtrëngimin e ndëshkimeve për ata që nuk do të respektojnë masat kundër koronavirusit, tha se do të dënohen me 10-15 vite burg ata persona që do të provokojnë vdekjen e të tjerëve.

Në një intervistë në “Open”, Rama tha se dënimi me burg do të jetë për ata persona që janë të infektuar dhe thyejnë karantinimin.

Ndërkohë, Rama u shpreh se duke nisur nga java që vjen, do të fillojnë edhe masat lehtësuese.

“Në Kodi Penal aktual kemi edhe karantinimin e kafshëve, por të njerëzve nuk e ka parashikuar njeri, ndërsa sa i përket viteve mos më çoni në Korenë e Veriut, shkoni në Rumani, por që mos bëjmë ngatërresa, 15 vite është kur ke provokuar vdekjen e personave të tjerë, jo kur je i painfektuar. Ti nuk mund të jesh i painfektuar dhe të provokosh vdekjen e të tjerëve. Pra ti person i infektuar nuk rri në karantinë, por shkon në një event, ti patjetër do të shkosh 15 vite në burg. Ka masa të rënda të shkallëzuara për periudhën e epidemisë dhe të gjitha ato masa janë perfekt. Kush nuk respekton masat, do të trajtohet si një person që rrezikon jetët e të tjerëve.

Nga java tjetër ne do të fillojmë të lehtësojmë me fashën orare, me lëvizjen me makina, do të fillojmë javë pas jave me lehtësime të mëdha, kur ti bën këto hapje, pas 15 ditësh, pas 1 muaji ti je i hapur dhe ai që del bën namin. Por rasti me burg është për ata që policia ja mbyll lokalin dhe ai e hap, patjetër që ata duhet të ndëshkohen rëndë. Nesër pas nesër do hapen restorantet por do bëhen me rregulla të reja, nuk do jenë më tavolina afër e afër apo 18 veta në tavolinë. Nëse këto i shkel, do paguash“, tha Rama.