Politika Rama: Akuzat për blerje votash janë broçkulla, humbëm 3 mandate nga votat...

Rama: Akuzat për blerje votash janë broçkulla, humbëm 3 mandate nga votat e pavlefshme

Kryeministri Edi Rama në intervistën e parë pas zgjedhjeve të 25 prillit ka bërë të ditur se rezultatin aktual e kishte pritur, madje se forca e tij politike ka humbur edhe 3 mandate nga votat e pavlefshme.

Kryeministri i cilësoi broçkulla akuzat e opozitës për blerje votash.

“Këto janë broçkulla. Partitë që kanë humbur, PD dhe LSI që flasin përçartë, pasi nëse do të shohim edhe sondazhet që janë publike, ka një përputhshmëri. Jo exit-poll-et, por sondazhet. Ne sot kalkulojmë që kemi humbur 3 mandate nga votat e pavlefshme, ku pjesa më e madhe.

Pamë që kishe një rritje të pa natyrshme të votave të pavlefshme dhe i kërkuam numëruesve që të mbajnë një lloj rekordi si janë ato vota dhe shumica janë vota ku është votuar në mënyrë të habitshme 12 dhe për votën e kandidatit ka shkuar te….në Elbasan ka mijëra të pavlefshme. Në Elbasan kishte disa mijëra me 12 me 8, që 8 ishte numri i Taulantit, po ashtu edhe në Tiranë.

Ne kemi arritur objektivin dhe e kemi kaluar për të thyer tavanin e 800 mijëve dhe kemi 3 mandate aty. Vota ishte e qartë e një dallimi që ishte i qartë edhe në sondazhe, por edhe e një organizimi të PS-së, që është makineri fitoreje”, tha ai.

Kreu i qeverisë kishte një thirrje drejtuar PD-së. “Shpresoj që të njohë rezultatin sepse është humbja e pestë radhazi. Dhe është e njëjta muzikë, nuk mundet dot, është katastrofa e PD-së” tha Rama.

Rama u shpreh se misioni i OSBE/ODIHR ka nxjerrë raportin paraprak më të mirë të të gjithë historikut të zgjedhjeve në Shqipëri. Ai u shpreh se ODIHR, nuk ka vënë në diskutim zgjedhjet e 25 Prillit dhe se ato kanë qenë “të drejta, korrekte, legjitime”.

“Për sa i përket OSBE/ODIHR, jam shumë dakord që ka fraza të tilla, por ODIHR, ka nxjerrë raportin preliminar më të mirë i të gjithë historikut të zgjedhjeve dhe praktikisht nuk vë në diskutim që zgjedhjet kanë qenë të drejta, korrekte, legjitime, ka mbaruar filmi. Është film i mbyllur”, tha Rama.