Politika Rama arrogant? Ja si përgjigjet ish-zv.ministrja e Brendshme

Rama arrogant? Ja si përgjigjet ish-zv.ministrja e Brendshme

Në një intervistë për DITA ish-zv.ministrja e brendshme Elona Gjebrea thotë se PS ka marrë votat e mjaftueshme për të qeverisur e vetme, por duhet të ketë bashkëpunim mes partive për reformat e rëndësishme në vend.

E pyetur nga gazetarja e DITA Entela Resuli nëse ka një marrëveshje Rama -Basha për të bashkëqeverisur, 49 vjecarja që kryesoi listën e deputetëve të Tiranës thotë:

“Duhen pyetur z. Rama dhe z. Basha, por unë mendoj që kemi marr votat e mjaftueshme për të qeverisur të vetëm. Gjithashtu kemi kaluar në një stad tjetër me një pjekuri politike që e tregoi edhe marrëveshja, e cila u përshëndet nga shumë persona dhe që krijoi një lloj ç’tensionim të situatës politike në vend. Kur partitë politike bashkohen së bashku për reformat politike mendoj se është një arritje”

Resuli e pyet Gjebrean edhe për zërat kritikë që e akuzojnë kreun e qeverisë si arrogant. Ja përgjigja e saj:

-Ka një “frikë” në terren që qeveria e ardhshme mund të jetë shumë arrogante…mund të ndodh kjo?

Nuk besoj, ne kemi një kryeministër që është…

-Shumë arrogant…?

Nuk është arrogant, është shumë komunikues dhe kërkues dhe nuk të lë të futesh në atë botën euforike të petkut të një ministri apo qeverie. Nuk besoj se kemi arsye të bëhemi arrogant, përkundrazi kemi shumë përgjegjësi dhe njerëzit presin shumë nga ne, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm për të përmbushur pritshmëritë e njerëzve.