Kryesore Rama: Ballkani i Hapur, mekanizëm për të përshpejtuar integrimin drejt BE-së

Rama: Ballkani i Hapur, mekanizëm për të përshpejtuar integrimin drejt BE-së

Kryeministri Edi Rama është thirrur sot në interpelancë nga deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, i cili ka kërkuar shpjegime për nismën për Ballkanin e Hapur. Deputeti Shehu në parashtrimin e tij tha se Ballkani i Hapur është një nismë për të jetësua Jugosllavinë e re, pasi sipas tij është iniciuar nga Aleksandër Vuçiç.

Po ashtu deputeti tha se Ballkani i Hapur është një nismë që shkon kundër interesave të Shqipërisë dhe Kosovës.

“Kemi të bëjmë me mbivendosje të dy projekteve, të Serbisë së Madhe dhe Jugosllavisë së re, dhe ju si kryeministër u bëtë mbështetës i saj, duke mënjanuar interesat e Kosovës. Sot lexohet qartë tek ajo që po ndodh në Bosnje, apo në Malin e Zi apo në çështjen e kufirit mes Serbisë dhe Kosovës”, tha deputeti

Por kjo gjë është kundërshtuar nga kryeministri Edi Rama, i cili tha se Ballkani i Hapur është “një mekanizëm për të jetësuar procesin e Berlinit dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit”.

Më tej kreu i qeverisë tha se Ballkani i Hapur është një nismë që bëhet për të mirë të ekonomisë, pasi heqja e kufijve lehtëson lëvizjen e mallrave dhe shton eksportet.

Kreu i qeverisë deklaroi se pritja e kamionëve në kufijtë e rajonit u kushton vendeve 1% të prodhimit të përgjithshëm kombëtar.

“Për sa i takon mekanizmit për Ballkanin e Hapur, ne jemi të hapur që kemi nisur me marrëveshjet kuadër për të jetësuar procesin e Berlinit. Ne kemi dy marrëveshje të nënshkruara më parë me Kosovën dhe Malin e Zi, për një ndalim në kufijtë tanë. Edhe me Maqedoninë e Veriut jemi gati për marrëveshjen. Fakti është që jetojmë në një gjeografi që nuk e kemi zgjedhur, në këtë hapësirë gjeografike që jetojmë, jemi në kushtet që duhet të bëjmë çmos të shtojmë prodhimin dhe eksportet. Por tregu është i fragmentarizuar dhe nuk ndihmon në rritjen e eksporteve”, tha ndër të tjera Rama.