Kryesore Rama: Çështjen e detit e hapi Shqipëria, për Greqinë ishte e mbyllur...

Rama: Çështjen e detit e hapi Shqipëria, për Greqinë ishte e mbyllur me Saliun, me Lulin dhe me Ilirin

Një ditë pasi njoftoi se Greqia dhe Shqipëria do t’i drejtohet gjykatës ndërkombëtare për të zgjidhur çështjen e detit, Kryeministri Edi Rama tha këtë të mërkurë se kjo çështje u rihap nga Shqipëria. Rama tha se për Greqinë, ajo konsiderohej e mbyllur me marrëveshjen e arritur me qeverinë e mëparshme.

“Çështjen e detit nuk e ka hapur Greqia, e ka hapur Shqipëria. Për Greqinë, çështja e detit ka qenë e mbyllur me marrëveshjen e bërë me Saliun, me Lulin dhe me Ilir Metën. Greqia nuk ka pasur asnjë pretendime më shumë sesa aq sa mori nga ajo marrëveshjes. Për Greqinë ishte një çështje e mbyllur. Atë çështje e rihapa unë, së bashku me PS në opozitë dhe me disa aleatë të asaj kohe. Në Gjykatë Kushtetuese ka shkuar PS. Gjykata Kushtetuese 9 me 0 e ka rrëzuar atë marrëveshje me kërkesë si paditës të PS. Dhe çështja është rihapur. Me thënë të drejtën falë këmbënguljes, durimit, vullnetit tonë, në komunikimin me palën tjetër dhe falë vizionit për të ardhmen, dhe e them këtë me shumë respekt, për të ardhmen e përbashkët të Kryeministrit Mitsotakis, i cili së bashku me Ministrin e Jashtëm që ishte dje këtu, qartësisht ka zgjedhur të verë në dispozicion të zgjidhjes së të gjitha çështjeve dhe të ardhmes së përbashkët të të dyja vendeve, të gjithë vullnetin e tij të mirë. Kështu që, më në fund pala greke ra dakord me ne”.

Rama theksoi se me qeverinë e mëparshme greke nuk kishin mundur të binin dakord për ta çuar këtë çështje tek para drejtësisë ndërkombëtare. Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se Shqipëria kërkon një marrëveshje të drejtë për palët.

“Me qeverinë e mëparshme nuk kemi arritur të biem dakord për ta çuar çështjen para drejtësisë ndërkombëtare. Me këtë qeveri arritëm të biem dakord, që ta çojmë çështjen para drejtësisë ndërkombëtare në duart e një gjykate që i ka të gjitha kompetencat, të gjithë ekspertizën që të japë drejtësi të drejtë për këtë problem dhe kjo është një zgjidhje ideale për ne, që natyrisht në bazë të gjithë protokolleve dhe standardeve do të ulemi dhe të përgatitemi siç e kërkon procedura për të arritur në një zgjidhje të drejtë. Kështu që çfarë kërkojmë ne është shumë e qartë. Ne kërkojmë një marrëveshje të drejtë, kaq. Marrëveshja e mëparshme ka qenë e padrejtë për Shqipërinë”.