Politika Rama: Dera e BE-së u hap në një kohë të mallkuar

Rama: Dera e BE-së u hap në një kohë të mallkuar

Pas vendimit të Këshillit të Ministrave të BE-së që i jep dritën jeshile hapjes së negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe vendin tonë, kryeministri Edi Rama pati një reagim në rrjetet sociale.

Kreu i qeverisë, tha se “PO-ja” e sotme është një lajm i bukur megjithatë i vonuar. Ai u shpreh se Shqipëria nuk ka për të humbur asnjë betejë, duke përmendur këtu reformat që po ndërmerren apo edhe përballimin me situatën ndaj koronavirusit.

“Ne nuk lodhemi, nuk tundemi nga e jona, megjithëse kjo botë nuk është holluar kollaj, Shqipëria nuk ka për të humbur asnjë betejë dhe asnjë luftë.

PO-ja në bllok nga 27 vende anëtare! Dera e dhomës së pritjes së BE-së u hap më në fund në një kohë të mallkuar kur dyert e shtëpive tona janë mbyllur.

Ky i sotmi është një lajm i bukur, edhe pse i vonuar, por sidoqoftë nuk kemi humbur asnjë gjë, që prej fillimit sepse kemi punuar. Na e kërkon amaneti i të parëve dhe borxhi që i kemi fëmijëve tanë.  Nuk do pushojmë së punuari derisa të hyjmë në BE.

Deri atje rruga vazhdon dhe është ende e përpjetë, puna për t’u bërë është e madhe”, tha Rama.