Politika Rama dhe Basha urojnë VV dhe LDK për marrëveshjen

Rama dhe Basha urojnë VV dhe LDK për marrëveshjen

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale për marrëveshjen e arritur të dielën mes liderëve të Vetëvendosje dhe LDK për krijimin e koalicionit të ri qeveritar që do të udhëheqë Kosovën për 4 vitet e ardhshme.

Pasi iu uroi suksese për qeverinë e re, Edi Rama tha se shpreson që me qeverinë e re të Kosovës të ketë një bashkëpunim sa më të mirë për shqiptarët e të dyja anëve të kufirit dhe shtoi se mezi pret që të ulet në tryezë për çështjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve e të sipërmarrjeve

“Suksese VV-LDK në formimin e qeverisë së re dhe në qeverisjen e Kosovës! Uroj të kemi një bashkëpunim sa më të dobishëm për shqiptarët këtej e andej kufirit dhe pres me padurim të shtrojmë në tryezë çështjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve e të sipërmarrjeve në kufirin tonë”, shkruan Rama në Twitter.

Ndërsa, kryetari i demokratëve, Lulzim Basha e ka konsideruar një akt pjekurie politike dhe ndershmërie, marrëveshjen për koalicionin qeverisës që u arrit mes kreut ë Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe atij të  Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Basha deklaroi se marrëveshje është përgjigje e vullnetit për ndryshim të qytetarëve të Kosovës. Ai shtoi se PD do të jetë gjithmonë në krah të Kosovës dhe drejtuesve të saj.

“Marrëveshja e sotme është një plotësim i vullnetit të qytetarëve të Kosovës. Ajo është një akt ndershmërie dhe pjekurie politike e një vizioni të qartë të drejtuesve të LVV dhe LDK. Kjo marrëveshje është përgjigje konkrete e vullnetit për ndryshim i qytetarëve të Kosovës. Partia Demokratike si përgjatë çdo dite të historisë së saj, do të jetë plotësisht në krah e mbështetje të Kosovës dhe udhëheqësisë së saj, sot në opozitë e më fort nesër në qeverisjen e vendit, në sfidat që i kemi përpara dhe që kërkojnë angazhim të sinqertë e bashkëpunim vëllazëror”, shkruan Lulzim Basha.