Kryesore Rama dhe Zaev me shpresë te Merkel

Rama dhe Zaev me shpresë te Merkel

Ballkani Perëndimor do të zbarkojë hënën në Berlin.

Liderët e rajonit do të priten nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron.

Pavarësisht situatës para zgjedhjeve në Parlamentin Europian, sipas mediave gjermane kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev kanë parashikuar takime para Samitit me kancelaren gjermane për të diskutuar mbi çështjen e zgjerimit.

Rama dhe Zaev do të kërkojnë të bindin Merkel me qëllim influencimin e Gjermanisë te Franca dhe Holanda.

Janë pikërisht këto dy vende skeptike që trembin Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për vendimin e qershorit.

Pak ditë më parë, parlamenti holandez votoi pro rikthimit të vizave për shqiptarët me argumentin se vendi ynë nuk ka bërë aq sa duhet për luftën kundër krimit të organizuar.

Gjithashtu sipas burimeve diplomatike, vendet e Unionit janë të fokusuar te zgjedhjet e Parlamentit Europian duke lënë mënjanë çështjen e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor.

Rreziku konsiston në rezultatet e zgjedhjeve europiane, pasi rritja e skepticizmit për zgjerimin e Bashkimit Europian dhe rritja e partive populiste mund të kenë një efekt negativ për të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Madje në disa deklarata të zyrtarëve të Brukselit është thënë se vendimi për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mund të shtyhet për në vjeshtë.