Politika Rama: Dimri do të jetë i vështirë, masat kufizuese nuk përjashtohen

Rama: Dimri do të jetë i vështirë, masat kufizuese nuk përjashtohen

Kryeministri Edi Rama është ndalur ditën e sotme në një bashkëbisedim me studentët në profilin e tij në Instagram. Kreu i qeverisë u shpreh se dimri do të jetë shumë i vështirë sa i përket shëndetësisë. Megjithatë, Rama u shpreh optimist se vendi do të dalë më i fortë nga kjo krizë.

“Në shumë aspekte mund të thuhet që më e keqja ka kaluar, ndërkohë që në aspektin e pandemisë mund të themi se jemi duke kaluar më të keqen sepse ky dimër do të jetë një dimër shumë i vështirë nga pikëpamja shëndetësore, por besoj se do ta kalojmë duke dalë jo të dërrmuar, por më të çliruar dhe më të fortë”, tha Rama.

Një tjetër çështje që diskutohet më së shumti është edhe puna e masave. Aktualisht në vendin tonë ndalohet lëvizja pas orës 22:00 deri në 6:00 të mëngjesit apo grumbullimet me më shumë se 10 persona.

Në prag të festave të fundvitit, një ndër pyetjet më të shumta të studentëve ishte nëse masat kufizuese do të shtohen për Vit të Ri. Kryeministri Edi Rama u përgjigj duke thënë se ato i vendosin ekspertët. Megjithatë sipas tij çdo gjë do të varet nga mënyra se si i zbatojnë njerëzit rregullat e thjeshta.

Aktualisht ekspertët nuk kanë folur për masa shtrënguese, por Rama tha se ato nuk përjashtohen. Çdo gjë sipas kreut të qeverisë do të vendoset duke shikuar situatën në dinamikë.

“Masat shtrënguese nuk i vendos unë, por Komiteti Teknik i Ekspertëve. Sigurisht, masa më e rëndësishme në të gjitha rastet mbetet çfarë bën secili si individ në raport me ato rregullat e thjeshta sepse në fund të fundit ne jemi transmetuesit e këtij virusi. Deri tani ma ha mendja që nëse shohim atë që është problemi kryesor i kësaj sfide, aftësinë për të përballuar fluksin në spital, jemi në ekuilibër. Nëse shohim fatalitetet jemi në ekuilibër. Për momentin nuk kemi folur për masat shtrënguese, por kjo nuk i përjashton ato sepse vendoset hap pas hapi”, tha Rama.

Ndërsa sa i përket mënyrës si arsimi ka përballuar këtë krizë të pazakontë, Rama tha: “Përgjithësisht kemi qenë në lartësinë e duhur të kësaj sfide”.