Kryesore Rama: Do ishim si Izraeli nëse do e kishim solidaritetin afatgjatë

Rama: Do ishim si Izraeli nëse do e kishim solidaritetin afatgjatë

Në një fjalim që mbajti sot në Parlament me fokus pasojat e tërmetit, sqarimin e shumë situatave dhe shpalosjen e vizionit të rimëkëmbjes, kryeministri Edi Rama kritikoi llojin e solidaritetit shqiptar, shfaqur këto ditë me të madhe, të cilin, edhe pse e quajti madhështor, tha se e ka afatin e shkurtër.

“Solidariteti shqiptar është vërtet një gjë madhështore, por e ka afatin e shkurtër. Se po ta kishim patur ne solidaritetin afatgjatë do ishim si Izraeli. Por ne e kemi solidaritetin me intensitet të madh, në një kohë të shkurtër”, tha Rama.

Ai kritikoi dhe raportin e shoqërisë shqiptare me Zotin, dalë në pah këto ditë, duke vënë re aty atë që sipas Ramës nuk shkon në këtë raport.

“Kemi një karakteristikë që ne bëhemi shumë të urtë dhe i lutemi Zotit kur Zoti na duken si varkë për të kaluar lumin e rrëmbyer. Kur jemi matanë pastaj, i themi Zotit “shihemi herës tjetër”. Më vjen keq por kjo është e vërteta”, tha shefi i qeverisë.

Rama ndër të tjera paralajmëroi dhe një reformë ligjore për rastet e fatkeqësive natyrore.

“Të marrim shembullin e Japonisë, Amerikës, Izraelit, që kur ndodhin fatkeqësi të këtyre përmasave jua mbyllin me ligj gojën atyre që nuk kanë çfarë të thonë, dhe nuk i jepet mundësia lloj-lloj personazheve të dëshpërojnë miletin. Kjo do të jetë një nga gjërat që do adresojmë në reformën për rastet e fatkeqësive të mëdha natyrore.

Se nuk është e mundur që veç halleve të mëdha nga fatkeqësia populli të ketë edhe këtë hall të madh që me ditë e natë të flasin delirantë e sharlatanë që shfaqen si konstruktor, prokuror, sizmolog, etj”, theksoi Rama.