Kryesore Rama: Do pastrojmë Shqipërinë, me hir a me pahir. Krimi mjedisor i...

Rama: Do pastrojmë Shqipërinë, me hir a me pahir. Krimi mjedisor i kalon policisë

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në prezantimin e nismës për pastrimin e territorit se aksioni do të jetë afatgjatë, ndërsa do të ketë disa ristrukturime.

Ai e cilësoi si trup kombëtar gjendjen e krijuar, ndërsa njoftoi se në këtë operacion kundër krimit mjedisor do të përfshihet edhe Policia e Shtetit.

Rama duke prezantuar të martën aksionin 6-mujor për pastrimin e Shqipërisë, tha se do ta bëjë të mundur “me hir a me pahir”.

“Shqipërinë do ta bëjmë një vend që të rrezatojë pastërti, me hir dhe me pahir. Me hir sëbashku me të gjithë ata që Shqipërinë e duan të pastër jo vetëm me llafe, por janë gati të kontribuojnë për të dhe me pahir ndaj çdokujt që Shqipërinë e do të pastër, vetëm kur bën ato komentet në Facebook dhe është gati sapo mbyll iPhone të hedhë bananen që është duke ngrënë ndërkohë bën komente”.

Kryeministri tha se aksioni që do të nisë me 24 nëntor do të përfundojë vetëm pas 6 muajsh, me 24 maj të vitit 2018, kur edhe do të pastrohet i gjithë vendi para nisjes së sezonit turistik.

“Çdo ditë do të jemi të angazhuar në këtë operacion në çdo nivel në mënyrë që Shqipëria turistike e sezonit të ardhshëm të jetë e lehtësuar nga barra e plehrave në trupin e vet. Në këto 6 muaj do të bëjmë ndërhyrje të rëndësishme për të ndërtuar mekanizma efikase që pas një viti të mos jemi prapë në këtë situatë.”

Duke folur për mbi 9000 spotet e mbeturinave në një vend kaq të vogël si Shqipëria, Rama tha se asnjë nuk duhet të flejë i qetë derisa ta shikojmë këtë numër të zbresë në zero.

“Unë jam shumë besimplotë se duke përfshirë policinë e shtetit në këtë proces, situata do të ndryshojë rrënjësisht siç ndryshoi me ndërtimet pa leje.”

Shefi i qeverisë deklaroi se janë dhënë 1 mijë leje mjedisore pa kriter, të cilat do të kalojnë në sitë përsa i përket zbatimit të ligjit.

Në fund Rama iu përgjigj edhe kryebashkiakes së Shkodrës Voltana Ademi, e cila u shpreh se zgjidhja nuk vjen me gjoba, por duhen fonde.

“Ju e dini sa e dua unë Voltantën por këtu ne jemi të gjithë bashkë dhe me respekt për praninë e saj e nënvizova për të thënë që këtu s’ka parti dhe majtas djathtas dhe s’ka lojë me plehra. Boll bëhet në parlament loja kujt t’i hedhim balte, këtu nuk ka lojë kujt t’ia lëmë plehrat në derë se janë në mes të shtëpisë sonë të përbashkët, është detyra jonë që ne të heqim plehrat.

Këtu nuk kanë lidhje as fondet, as mungesa e kësaj apo asaj, këtu është krijuar mentaliteti i rrumpallës. Këtij operacioni do i shkojmë deri në fund. Tirana deri dy vite më parë ishte qyteti më i pistët i Shqipërisë, sot më i pastri, çfarë ka ndryshuar? Përgjegjësia. Ne këtë e kemi marrë”, deklaroi ai.