Ekonomi Rama: Do të marrim punëtorë të huaj për rindërtimin, këtu të gjithë...

Rama: Do të marrim punëtorë të huaj për rindërtimin, këtu të gjithë duan rroga shteti

Kryeministri Edi Rama ishte sot në qytetin e Durrësit për fazën e parë të rindërtimit pas tërmetit. Në përfundim të kësaj faze do të mundësohet rikthimi i të prekurve nga tërmeti në 1859 apartamente deri në fund të Marsit, në godinat e pabanueshme ku nevojiten vetëm meremetime të thella.

Kreu i qeverisë vizitoi një pallat me dëmtime mesatare për shkak të tërmetit të nëntorit. Gjatë bisedës me një administrator ndërtimi, i cili tha se nuk ka fuqi punëtore, Rama u shpreh se do të vijnë punëtorë të huaj nga jashtë vendit prandaj disa ditë më parë kaluan në Kuvend një ligj.

Administratori: Na mungon fuqia motorike, nuk kemi njerëz të kualifikuar.

Edi Rama: Ky është problemi kryesor, e ka gjithë Shqipëria. Duam punë, duam punë dhe në fund mirë që duan punë shteti, por edhe kur i thua hajdeni kualifikoheni jo të gjithë janë gati. Megjithatë ne kemi kaluar ligjin për të lehtësuar maksimalisht sjelljen e fuqisë punëtore nga jashtë. Kështu është fakti jo vetëm tek ne, por këtu tek ne ankohen të gjithë në kafene. Do i sjellim punëtorët nga jashtë, sado që absurde të duket. Prandaj e kaluam ligjin, që rindërtimin ta kemi pa probleme fuqie punëtore. Do t’i sjellim punëtorët nga jashtë. Vijnë të tjerët nga fundi i botës punojnë në Shqipëri, ndërsa këtu të gjithë rroga shteti.

Ndër të tjera, kreu i qeverisë propozoi që punëtorët e ndërmarrjeve të Bashkisë së Durrësit të atashohen pranë kompanive të ndërtimit.

“Duhet edhe ju të bëni diçka me punëtorët e bashkisë, nga këta të ndërmarrjes, merrini, shkëputini dhe atashojini. Edhe ata të marrin më shumë. Janë punëtorë ndërmarrjesh, marrin rrogë ndërmarrjesh, këta janë gati që të paguajnë rrogën dhe ata vijnë marrin më shumë. Ta bëjmë me kushtet e rindërtimit me forcat e ndërmarrjeve”, tha Rama