Kryesore Rama falënderon donatorët me Biblën dhe Kuranin: Njerëzimi është një komb i...

Rama falënderon donatorët me Biblën dhe Kuranin: Njerëzimi është një komb i vetëm

Shqipëria ia ka dalë me sukses jo vetëm mbulojë të gjithë faturën e tërmetit me donacionet e mbledhura në Konferencën e Donatorëve, por ta tejkalojë atë.

Mbi 100 shtete dhe institucione financiare nga e gjithë bota të mbledhura në Bruksel dhuruan 1.15 miliard euro në formë grantesh, huash dhe projektesh.

“Kemi dëshmuar kurajë dhe solidaritet të jashtëzakonshëm me Shqipërinë sot. Kemi arritur të mbledhim për të ndihmuar Shqipërinë 1.15 miliard euro” tha Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi në mbyllje të konferencës.

Kryeministri Edi Rama nuk e përmbajti gëzimin për arritjen e qëllimit, që siç tha ai as në imagjinatën më të shfrenuar nuk do të kishte menduar këtë rezultat.

“Ndërsa vinim këtu po spekulonim, nevoja ishte kaq e madhe. Po thonim nëse arrijmë te 40% e të gjithë shumës mund të kthehemi në shtëpi pa ankth, po të arrijmë 50% të vlerës mund të ndjehemi se kemi pasur sukses, përtej 50% të shumës mund të ketë qenë magji. Kjo është përtej imagjinatës së shfrenuar. Nuk di çfarë të them por më lejoni të jem mistik se në çfarë mënyrë tjetër mund të shpjegoj të gjithë këtë. Më lini të citoj diçka nga Bibla, korinthët ku thuhet “sepse në një frymë u pagëzuam në një trup dhe të gjithë vijmë nga e njëjta frymë. Nëse një pjesëtar vuan të gjithë vuajnë së bashku, nëse një pjesëtar nderohet të gjithë gëzojnë së bashku”. Unë jam i nderuar dhe shpresoj që të gjithë ju të gëzoni së bashku për mua dhe Shqipërinë. Nuk mund të largohem pa e përmbyllur me Kuranin: Njerëzimi është një komb i vetëm!”, tha Edi Rama.