Kryesore Rama falenderon Italinë: Nuk kemi rrugë tjetër veç anëtarësimit në BE

Rama falenderon Italinë: Nuk kemi rrugë tjetër veç anëtarësimit në BE

Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë zyrtare në Itali.

Kreu i qeverisë u prit në mesditë në Romë nga homologu i tij italian Giuseppe Conte.

Temë e diskutimit mes dy liderëve ka qenë çështja e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Kryeministri italian ishte një nga  mbështetësit  e mëdhenj të hapjes së negociatave të Shqipërisë në samitin e Brukselit.

Rreth orës 15:10 të së enjtes, dy kryeministrat dolën në një konferencë për shtyp.

Rama falenderoi përzemërsisht Italinë për mbështetjen e madhe që i ka dhënë në rrugën e integrimit europian.

Kryeministri shqiptar tha se rruga e vetme e Shqipërisë është anëtarësimi në BE, pavarësisht zhgënjimit për mos hapjen e negociatave.

“Fatkeqësisht Këshilli Europian nuk mori vendimin e duhur, duke na mohuar atë që meritonim. Duke dhënë kështu një mesazh dobësia dhe pafuqie për të mbajtur premtimet. Por Shqipëria nuk ka asnjë rrugë tjetër përveç asaj që kemi ndjekur deri tani”, tha Rama në një konferencë të përbashkët me homologun italian Giuseppe Conte.

Ai shtoi se kishte informuar Kryeministrin italian se Qeveria do të vazhdojë me reformat sipas të gjitha indikacioneve që i janë dhënë.

Më tej, Rama tha se në Itali janë gjysmë milionë shqiptarë dhe 31 mijë prej tyre drejtojnë kompani private dhe shumë të tjerë kontribuojnë në të ardhurat e shtetit. 115 mijë fëmijë frekuentojnë shkollat italiane dhe 10 mijë studentë shqiptarë studiojnë në Universitetet italiane.

Biseda pati në fokus edhe marrëdhëniet mes dy vendeve e në veçanti mundësinë e shtimit të investimeve italiane në Shqipëri, teksa Conte tha se zhvillimi i bizneseve italiane ne Shqipëri do të jetë një fushë ku mund të punohet shumë.

Kryeministri italian tha gjithashtu se është arritur marrëveshje edhe për transferimin e të burgosurve shqiptare që vuajnë dënimin në Itali.

Nga ana tjetër Rama deklaroi se do të punohet ngushtësisht edhe për procesin e njohjes së vjetërsisë së punës për emigrantët shqiptarë në Itali.

Ai ftoj sipërmarrësit italiane që të investojnë në Shqipëri.