Kryesore Rama: Financimi 100 milionë Euro nga BE dhe BERZH do transformojë...

Rama: Financimi 100 milionë Euro nga BE dhe BERZH do transformojë qytetet turistike

Këtë të shtunë u prezantua programi i BE dhe BERZH për transformimin e turizmit në Shqipëri. Vlera e programit kap shifrën e 100 milionë Eurove.

I pranishëm ishte dhe kryeministri Edi Rama, i cili tha se Shqipëria nuk do ishte i njëjti vend që është sot pa mbështetjen e BE dhe BERZH.

“Shqipëria nuk do ishte i njëjti vend që është sot pa mbështetjen e BE dhe BERZH. Janë me dhjetëra projektet që janë mundësuar për ne falë mbështetjes së BERZH, sikundër është mëse e vërtetë që projekti që lancojmë sot është një projekt i përbashkët mes BE dhe BERZH.

Kjo marrëveshje e re do ti shkojë si një mbështetje më shumë programit tonë transformues është dhe një shprehje kuptimplotë e besimit të këtyre institucioneve përmes rrugës urbane dhe rurale.

Sigurimi i vijësisë së transformimit është esencial. Dua vetëm të vë theksin tek fakti se programi do vazhdojë të mbështesë transformimin e Korçës, Beratit, Fierit dhe sigurisht do të nxisë transformimin e Shkodrës, kur projektet janë shpalosur.

Nuk bëhet fjalë për një fond që do shkojë vetëm për infrastrukturën, apo ujin, bëhet fjalë për një fond që do të shkojë për programe të integruara dhe do i bashkëngjitet dhe fondeve të tjera që janë vënë qoftë nga Banka Botërore, apo buxheti i shtetit, apo edhe nga Banka Gjermane për Zhvillim. Doja të nënvizoja që programi adreson dhe komponentin e trashëgimisë kulturore dhe agroturizimin dhe agropërpunimin që e bën drejtpërdrejt Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural një pjesë integrale të zhvillimi të këtij programi”.

Kreu i qeverisë tha gjithashtu se turizmi në Shqipëri është rritur ndjeshëm.

“Ne nga BERZH nuk kemi përfituar vetëm mbështetje financiare por edhe sugjerimet e duhura në kohën e duhur. Ministri super optimist (Blendi Klosi) dha një shifër të saktë të painjektuar nga dopingu. Në 5 vite kemi dyfishuar numrin e turistëve dhe besoj se kemi pasur një rol jo të vogël në këtë rritje të konsiderueshme. Kemi rritje krahasuar me një vit më parë”, tha Rama.