Politika Rama flet për politikën e jashtme: Greqia, partner strategjik

Rama flet për politikën e jashtme: Greqia, partner strategjik

“Greqinë ne e duam një partner strategjik dhe negociatat me vendin fqinj janë shumë serioze”.

Kështu deklaroi të premten kryeministri Edi Rama në konferencën tradicionale për shtyp në fund të vitit me gazetarët.

“Ne negociatat i kemi dashur, por jemi ulur dhe po negociojmë gjëra që deri dje as mund të mendohej se mund të negocioheshin për shkak të servilizmit qesharak të politikës këtu në Tiranë ndaj fqinjëve”, tha Rama.

Përsa i përket varrezave greke, Kryeministri u shpreh se është thjesht dhe vetëm zhbllokimi i një procesi të dakordësuar nga qeveria e mëparshme”. “Është një proces i dakordësuar që zhbllokohet”, tha Rama.

“Greqinë e dëshirojmë partner strategjik”, shtoi kryeministri, duke theksuar se “e kemi pasur në programin tonë trekëndëshin e partneritetit strategjik me Italinë, Greqinë dhe Turqinë”.

“Jemi shumë të inkurajuar nga fakti që po negociojmë. Është negociatë reale nga grupe ekspertësh, negociatë intensive. Raundi tjetër do të jetë së shpejti në Shqipëri për të mbyllur kapituj që nga ligji i luftës një absurditet, por që ka pasur një fuqi të madhe në një aspekt shumë të rëndësishëm të marrëdhënieve që ka të bëjë me pronat. Kjo është një arsye për të vlerësuar qasjen tonë të re me politikën e ardhshme, jo në linjat kryesore por në mënyrën e sjelljes dhe qëndrimit ndaj të tjerëve”, tha Rama.

Në aspektin rajonal, ai përmendi rastin e Maqedonisë, ku sipas Ramës, po bëhet normë ligjore ajo që nuk mund të imagjinohej deri dje, gjuha shqipe.