Sport Rama flet si tifoz i Juves: Dybala, i mbivlerësuar. Draghi, bëje ministër...

Rama flet si tifoz i Juves: Dybala, i mbivlerësuar. Draghi, bëje ministër Chiellini

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për torinezen “Tuttosport”, ku përveç finales së Conference League mes Romës dhe Feyenoord që do të luhet më 25 maj në “Air Albania” dhe ku zbuloi se do të bënte tifozeri për ekipin italian, ai ka folur edhe për ekipin e zemrës, Juventusin.

Rama është ndalur veçanërisht të Paulo Dybala, i cili i dha lamtumirën mbështetësve të Juves në ndeshjen e fundit të luajtur në “Allianz Stadium” për këtë sezon, atë ndaj Lazios, që u mbyll me barazimin 2-2, pasi në verë do të largohet me parametra zero, duke qenë nuk arriti një marrëveshje me klubin për vazhdimësinë, pas 7 viteve që kaloi te “Zonja e Vjetër”.

Si një tifoz i Juventus-it, Rama është shprehur i zhgënjyer nga Dybala, për të cilin theksoi se nuk arriti dot kurrë të ishte në nivelin që të gjithë mendonin.

“Ai kurrë nuk arriti të ishte ai që të gjithë ne mendonim se ishte. Ndoshta ka të drejtë që thotë se është mbivlerësuar”, deklaroi Edi Rama.

Përveç Dybala, “Allianz Stadium” ishte i emocionuar për lamtumirën e Chiellinit, pas 17 vitesh me fanellën bardhezi. “Po të isha Draghi (kryeministri italian), do t’i propozoja Ministrinë e Rinisë. Në mirëbesim të plotë Chiellini do t’i jepte brezit të ardhshëm përgjegjësinë e mbrojtjes së vlerave”.