Aktualitet Rama: Fshesë hekuri për të pastruar administratën nga grabitqarët dhe të korruptuarit

Rama: Fshesë hekuri për të pastruar administratën nga grabitqarët dhe të korruptuarit

Kryeministri Edi Rama prezantoi platformën online që mundëson koalicionin me qytetarët.

Shqipëriaqëduam.al, është mekanizmi që pranon vetëm persona me identitet real, të cilët do të marrin përgjigje në kohë reale pas çdo kërkese apo ankese të paraqitur.

Platformën Rama e cilësoi një fshesë të hekurt që do të pastrojë çdo grabitqar apo të korruptuar në zyrat e shtetit.

“Ky mekanizëm mund të bëhet një fshesë e hekurt për të pastruar parazitët dhe grabitqarët shumë më shpejt sesa çdo mekanizëm tjetër. Ky mekanizëm mund të bëhet tmerri i çdo kujt që në zyrë shteti në sportel është mësuar që ti shikojë qytetarët nga xhepi apo është mësuar që ti sorollasë për ti dhënë shërbimin. Nuk do lëmë gurë  pa luajtur që anëtarët e këtij koalicioni të jenë të paprekshëm nga parazitët dhe grabitqarët dhe kështu të shtohen më shumë dhe ky koalicion të bëhet më i madh”, tha Rama.

Çdo qytetar do të marrë përgjigje në kohë reale, ndërsa pas platformës qëndron një grup prej gati 30 personash që do të marrin në shqyrtim çdo ankesë apo kërkesë.

“Për çdo çështje që kërkon zgjidhje dhe ndërhyrje të drejtpërdrejtë nga titullari i institucionit zgjidhja të jepet në afatin e caktuar nga titullari i institucionit. Ndërkohë çdo anëtar i kabinetit qeverisës do të mbajë përgjegjësi  të drejtpërdrejtë për trajtimin e të gjitha adresimeve të cilësdo natyre që lidhen me institucionin e vet”, theksoi kryeministri.

Platforma është e ndarë në disa rubrika, qytetarët mund të bëjnë një ankesë, të denoncojnë një rast korrupsioni, të propozojnë një nismë apo të thërrasin në interpelancë përfaqësuesit e qeverisë. Një dritare e veçantë i është dedikuar edhe biznesit.