Ekonomi Rama: Gati paketa financiare për të sëmurët dhe familjet në nevojë

Rama: Gati paketa financiare për të sëmurët dhe familjet në nevojë

Duke filluar nga dita e sotme do të hyjnë në fuqi masat kufizuese që ndalojnë qarkullimin nga ora 22:00 deri në orën 06:00 dhe mbajtjen hapur në këtë fashë orari të bareve, restoranteve dhe aktiviteteve të tjera.

Në një konferencë për shtyp, Kryeministri Edi Rama deklaroi se do të ketë një paketë ekonomike për disa kategori që preken nga pandemia e Covid-19.

Sipas shefit të qeverisë, paketa e ndihmës financiare do të jetë për të sëmurët për t’i mbështetur në blerjen e ilaçeve. Po kështu, do të ketë një paketë financiare edhe për familjet me ndihmë ekonomike.

“Kemi gati edhe një paketë tjetër, e cila do të dalë shumë shpejt qoftë për të mbështetur të sëmurët për barnat esenciale, qoftë për të mbështetur familjet në ndihmë ekonomike. Sepse gjërat mund të zhvillohen në drejtime të ndryshme. Ne nuk kemi bërë masa shtrënguese të një natyre si ato që janë bërë në shumë vende tani që ne flasim. Sepse ne nuk duam ta mbyllim ekonominë. Ne duam të mbajmë një ekuilibër dhe u bëjmë thirrje njerëzve që të bëjnë detyrat e tyre të thjeshta. Atyre që janë në ndihmë ekonomike, deri në përfundim të kësaj flame, t’i bëjmë shtesë të konsiderueshme”, tha Kryeministri Rama.

Kreu i qeverisë iu përgjigj edhe akuzave të Presidentit Ilir Meta për planin strategjik për të përballuar këtë pandemi.

“Strategjia e shkruar i ka shkuar edhe “Baba Xhikes” në tryezë si President. Si pjesë e strategjisë jemi angazhuar edhe financiarisht për sigurimin e vaksinës. Në buxhetin e ardhshëm parashikojmë 55.3 miliardë ose 9.4% të buxhetit vetëm për shëndetësinë në vitin e ardhshëm. Është financimi më i lartë publik në 30 vjet. Pjesë e këtij buxhetit do të jetë edhe rritja e pagave, që nuk është vetëm për vitin tjetër, është përgjithmonë”.