Kryesore Rama: Gledis Nanos iu kërkua dorëheqja

Rama: Gledis Nanos iu kërkua dorëheqja

Kryeministri Edi Rama është shprehur se është e vërtetë që Gledis Nanos i është kërkuar dorëheqja nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Kreu i qeverisë tha se ka qenë i shqetësuar për zhvillime të papëlqyeshme lidhur me rendin publik dhe vetë Policinë e Shtetit.

“Po është e vërtetë. I është kërkuar dorëheqja drejtorit të mëparshëm dhe ai ma ka konfirmuar se do ta jepte dorëheqjen ditën e hënë pasi biseda është bërë të shtunën nga ministri sepse ishim shumë të shqetësuar për zhvillime të papëlqyeshme lidhur me rendin publik dhe me vetë Policinë e Shtetit. Çështje që janë trajtuar me drejtorin e mëparshëm. Kjo është e vërteta”, u shpreh Rama.

Sa i përket drejtorit të ri, Muhamet Rrumbullaku, Rama tha se ai ka mbështetjen e qeverisë dhe respektin e gjithë Policisë së Shtetit.

“Muhamet Rrumbullaku nuk vjen nga portalet, por vjen pas disa vitesh punë në drejtimin e AMP.

Muhamet Rrumbullaku është një vlerë morale me integritet të paktën të padiskutuar deri më tani nga askush sa i përket aspektit të ndershmërisë profesionale. Vërtetë uroj që të ketë sukses të plotë dhe ka mbështetjen tonë dhe gjithë respektin e policisë së shtetit”, tha Rama.