Aktualitet Rama: Goditje shembullore ndaj atyre që abuzojnë me ushqimin

Rama: Goditje shembullore ndaj atyre që abuzojnë me ushqimin

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi goditje shembullore ndaj sipërmarrësve që abuzojnë me ushqimin.

Kreu i qeverisë zhvilloi një bashkëbisedim me gazetarët këtë të martë, ku tha se ka një sërë ndëshkimesh deri tek ato me heqje lirie për këta tregtarë që abuzojnë me prodhimet ushqimore.

“Dua ta theksoj fort se kemi hyrë në një fazë të re, jemi në hapat e para të një lufte pakompromis për të garantuar sigurinë ushqimore. Përpara pak ditësh Kuvendi miratoi ndryshimet në Kodin Penal dhe sanksionet për abuzuesit me produktet ushqimore tanimë janë tejet të rënda.

Ne nuk do të ndalemi në goditjen e tyre. Jam i bindur që në gjysmën tjetër të vitit dhe në vitin në vijim do të kemi raste shembullore goditjesh që nuk ia uroj asnjë sipërmarrësi në fushën e tregtisë së prodhimeve ushqimore, por askush nuk duhet të harrojë se tanimë janë një sërë sanksionesh me heqje lirie për ata që abuzojnë me ushqimin”, tha Rama teksa bënte një përmbledhje të situatës ekonomike gjysmën e parë të këtij viti.