Politika Rama: I kemi kërkuar Komitetit të Ekspertëve zgjatjen e orës policore

Rama: I kemi kërkuar Komitetit të Ekspertëve zgjatjen e orës policore

Siç e ka bërë tashmë zakon, kryeministri Edi Rama gjatë udhëtimeve të tij komunikon me kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste. I fundit ka qenë me ministren e Arsimit dhe kandidaten për deputete në qarkun e Elbasanit, Evis Kushi, gjatë kthimit të tij nga Saranda, ku është informuar për ecurinë e fushatës elektorale në këtë qark.

Kushi i ka komunikuar kryeministrin kërkesën e qytetarëve në lidhje me zgjatjen e orës policore gjatë muajit të Ramazanit, në një kohë që sipas saj vaksinimi po ecën me ritme të mira.

“Kam një kërkesë nga qytetarët se kanë merakun e orës policore, të zgjatej deri në 9 ose 10 për periudhën e Ramazanit”, tha Kushi.

Kryeministri pohoi që i kanë bërë një kërkesë Komitetit Teknik të Ekspertëve, por mesa duket nuk ka ende një vendim.

“Një kërkesë me arsyetim që a mund të bëhet kjo e kemi bërë. Vaksinimi duhet të shoqërohet me distancim dhe me rregull”, tha Rama.

Sa u takon mbështetësve të LSI në Elbasan, Kushi thekson se një pjesë po i bashkohen PS-së, kurse pjesa tjetër PD-së.