Ekonomi Rama i përgjigjet PD-së: Eurobondi një sukses, çfarë me shkroi Rothschild

Rama i përgjigjet PD-së: Eurobondi një sukses, çfarë me shkroi Rothschild

Qeveria shqiptare arriti të emetojë një Eurobond me vlerë 650 milionë euro pasditen e së martës. Ky lajm është shumë i mirë sipas kryeministrit Edi Rama, i cili këtë të mërkurë tha gjatë një konference për mediat se inkurajon qeverinë si dhe garanton planin kombëtar “Shqipëria 2030”.

Kjo sipas kreut të qeverisë do të sigurojë transformimin e mëtejshëm ekonomik dhe social të vendit duke iu adresuar rindërtimit si edhe rimëkëmbjen pasi sipas Ramës Shqipëria del nga dy goditje njëra pas tjetrës.

Megjithatë pas pandemisë dhe tërmetit të 26 Nëntorit, kreu i qeverisë e konsideron si një meritë të qeverisë vlerësimin në tregjet e kapitalit. Ai i ktheu përgjigje akuzave të Partisë Demokratike duke thënë se Eurobondi është konfirmim nga tregjet që tregon besueshmërinë e vendit në ekonomi.

“Ne kemi dalë me një prim zero. Më vjen keq që flitet në mënyrë të ngjashme me fluturimin e atyre tabake pa bisht. Më vjen shumë keq që në formën e një fluturimi balone tabake, PD flet për gëzim pse morëm borxh, ndërkohë që duhet të hidhëroheshin sepse edhe ata janë hidhëruar se edhe ata morën borxh. Nuk është kështu. Kemi marrë konfirmim nga tregjet që në radhë të parë na bën një vend të besueshëm, në radhë të dytë na jep mundësinë të zgjerojmë bazën tonë të financimit të ekonomisë dhe financimeve. Bazë që konsolidon planin tonë të ri kombëtar “Shqipëria 2030”.

Sipas Ramës, ata që japin borxhe e japin në bazë të besimit dhe ajo bazohet mbi shifra.

“Ky është një konfirmim i të gjitha të kundërtave atyre që është thënë për gjendjen financiare të vendit pasi është vlerësim i librit të llogarive të vendit”.

Kreu i qeverisë tregoi për gazetarët edhe një mesazh të konsulentit financiar të qeverisë në këtë dalje, firma ‘Rothschild &CO’, ku sipas të cilëve Shqipëria është i pari vend i tregjeve emergjente që del me një prim 0 nga një emision i ri bondesh.

“I dashur kryeministër kemi mbyllur bashkë me kolegët emisionin e eurobondit, 650 mln për 7 vjet me 3.625% interes”, lexoi Rama një pjesë të mesazhit.

Familja Rothschild, e njohur si Dinastia Rothschild është një dinasti evropiane me origjinë hebreje gjermane që themeloi filiale financiare dhe bankash nga fundi i shekullit të 18-të.

Sa i përket planit “Shqipëria 2030” kreu i qeverisë deklaroi se do të bëhet publik shpejt.

“Nuk do të jetë program zhvillimi në letër, aq më pak një strategji në dokument që duhet përkthyer në masë, por do të jetë një plan veprimi i kalendarizuar në afat shkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë. Merr vlerësimin rilidhur me riskun”, tha Rama.