Politika Rama: Ja se kur kthehet opozita në Parlament

Rama: Ja se kur kthehet opozita në Parlament

Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me banorë të Mirditës, ka deklaruar se opozita do të mund të kthehet në Parlament vetëm në zgjedhjet e vitit 2021.

“Këtë herë ikën nga Parlamenti dhe dogjën mandatet, ne jemi trima dhe nuk kthehemi kurrë. Kurrë mos u kthefshi se nuk e merr malli njeri për ju, madje, madje, që të jem shumë i sinqertë, ka qenë një rast i madh për shumë demokratë për të parë se çfarë janë këta, bënë festë dhe thoshin fitore-fitore dhe pastaj vinin të futeshin me zor në Parlament. Por në Parlament do të futen vetëm në shtator të vitit 2020, në qoftë se do u vijnë mendtë, se mbase nuk i vijnë”, tha Rama.

Më tej, kryeministri foli dhe për kërcënimet e opozitës për prishjen e zgjedhjeve. Kreu i qeverisë i ka bërë thirrje të rinjve të Laçit, Milotit dhe gjithë Shqipërisë se në rast se do të prishin zgjedhjet, atëherë do t’u ndalohet e drejta që të shkojnë në vendet e BE-së.

“Tani duan të shkatërrojnë zgjedhjet, si do i shkatërrojnë, do gjejnë budallenj për të shkatërruar zgjedhjet. Pra, do çohen çunat e Laçit, Milotit dhe do i bien murit me kokë që mos shkojnë në Itali apo vende të tjera për gjithë jetën. Në qafë paçin veten ata që do bien pre e tyre”, theksoi Rama.