Kryesore Rama jep detajet e rikthimit të Alvinit në shtëpi: Do të shpëtojmë...

Rama jep detajet e rikthimit të Alvinit në shtëpi: Do të shpëtojmë edhe fëmijët e tjerë

Kryeministri Edi Rama konfirmoi shpëtimin e Alvin Berishës, 11-vjeçarit shqiptar që kishte mbetur i bllokuar në një kamp refugjatësh në Siri, duke postuar edhe një foto të ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, me vogëlushin.

“Pas një jave në kufirin sirian, së bashku me një skuadër speciale të policisë sonë dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët italianë, ministri ynë i brendshëm po përcjell në këtë moment Alvinin në ambasadën italiane në Beirut, prej ku vogëlushi shqiptar do të pajiset me dokumentet e nevojshme e do të fluturojë drejt babait në Romë”, shkruan Rama në Facebook.

“Një falënderim i veçantë për kryeministrin Giuseppe Conte, i cili u angazhua personalisht në ndjekjen e operacionit për palën italiane. Faleminderit edhe dy organizatave humanitare që u bënë pjesë jetike e këtij operacioni tejet kompleks e të rrezikshëm, pa harruar konsullin e nderit të Shqipërisë në Liban, që luajti një rol të pazëvendësueshëm”.

Kryeministri gjithashtu thotë se fëmijë e gra nga Shqipëria vazhdojnë të jenë peng në kampin-burg prej nga u largua Alvini dhe shteti shqiptar do të përpiqet t’i marrë.

“Por për ne, përpjekja nuk mbyllet këtu, sepse fëmijë e gra nga Shqipëria vazhdojnë të jenë peng në kampin-burg prej ku arritëm të nxjerrim Alvinin…”, përfundon Rama.