Politika Rama: Jo më aplikime në sportelet e Kadastrës

Rama: Jo më aplikime në sportelet e Kadastrës

Qeveria do të aplikojë një sistem të ri elektronik që synon shmangien e paraqitjes së tyre nëpër sportele duke plotësuar dokumentet e aplikimit. Këtë objektiv e shpalli kryeministri Edi Rama gjatë eventit të përjavshëm të Bashkëqeverisjes.

“Ka ardhur koha që të bëjmë një hap të madh përpara, e të kalojmë në heqjen e të gjitha letrave, dosjeve, dokumenteve, për kërkesat e qytetarëve. Në masën mbi 90 për qind, që do të thotë duke filluar nga viti i ardhshëm, do të hyjmë në një fazë revolucioni. Kjo fazë e re do të jetë përmbysje e madhe. Nuk do të ketë më nevojë qytetari të shkojë te sporteli dhe të bëjë varra-vingo. Por me projektin e ri i japim mundësi qytetarit të aplikojë online. Brenda qershorit të vitit të ardhshëm ne do të mbyllim sportelet, natyrisht për aplikimet. Sepse cikli i aplikimit në telefon kërkon më shumë kohë”, tha kryeministri.

Rama ka shpallur si synim realizimin e këtij projekti në Agjencinë e Kadastrës (ish-Hipotekat) aty ku edhe problemet më të mëdha janë me korrupsion.

“Kadastra që është problem i madh dhe absolutisht aplikimet do të bëhen online brenda vitit të ardhshëm, kjo do të ndryshojë gjithçka, do të mbarojë historia e varra-vingove dhe e dosjeve pafund. Në kompjuter do të futesh vetëm letrat tuaja, për marrjen e letrave të shtetit do të futen t’i marrin nëpunësit e shtetit, të panjohur dhe për ta gërryer shtetin. Po punojnë për pjesën tjetër se kur të jetë gati licenca, autorizimi, etj, që nëpunësit të marrin në telefon edhe të thonë eja e merre. E nëse do që të vijë në shtëpi, të  mbërrin me anë të Postës, duke e paguar si shërbim. Kështu merr fund historia e zullumit, e korrupsioni në këtë nivel të zhduket, sepse nuk e korrupton dot kompjuterin. Kjo është faza e re revolucionit që po përgatitemi, e besoj se brenda vitit të ardhshëm si afat maksimal ne do ta realizojmë”, theksoi kryeministri.