Politika Rama kap detaje COVID te kundërshtari: Ja kartolina jonë, ja e tyre

Rama kap detaje COVID te kundërshtari: Ja kartolina jonë, ja e tyre

Kryeministri Edi Rama e nisi fjalimin e fillimit të fushatës së PS-së, duke zgjedhur të theksojë diferencën me rivalin demokrat në aspekt të respektimit të masave COVID.

“Ne po bëjmë një dallim të madh edhe sonte. Praktikisht sonte ne dhe ata u kemi vënë para syve njerëzve dy kartolina në një ekran televizori të ndarë mjafton të shohësh dy kartolina për të kuptuar dhe dëgjuar ndryshimin e madh që ndan ne dhe ata në mënyrën tonë të të qenit dhe në marrëdhënien tonë me njerëzit dhe me shtetin.

Këtu ka respekt për shtetin për ligjin për rregullat që i kemi vënë të gjithë se bashku dhe të gjithë së bashku i kemi pranuar, mbi të gjitha njerëzit i kanë pranuar dhe zbatuar ditë për ditë, ndërkohë që atje s’ka respekt për shtetin për ligjin për rregullat nuk ka respekt për njerëzit; kjo është fytyra e fushatës sonë, fytyra e fushatës së tyre është krejt tjetër.

Këtu ka përgjegjshmëri qytetarë njerëzore familjare, atje sundon papërgjegjshmëria e tyre”, tha Rama.

Kryeministri shfrytëzoi dhe një detaj tjetër te kundërshtari: “Makina dhe dasmorë vunë përpara një dhëndërr që u vonua një orë. Çfarë mund të presësh nga dikush që la një orë në të ftohtë njerëzit që mblodhi vetë? Natyrisht që po flinte gjumë sepse e la takimin në orën 17:00, nuk është orë për Lulin. Atje, në mungesë të dhëndrrit, dasmorët dëgjonin britma, klithma e pasthirrma. Si mund të pretendohet në shekullin XXI, në vitin 2021, që të merret në dorë Shqipëria e të qeveriset me britma. Atyre që shohin këto dy kartolina u them se nëse doni të dini se çfarë e pret këtë vend, nëse ata do të vinin përsëri në krye, shikoni sheshin “Nënë Tereza”, që është bllokuar totalisht dhe është ngatërruar me këmbët e veta”.

Më tej, Rama u shpreh se kreu i PD-së, Lulzim Basha, është kukull në duart e treshes Berisha-Meta-Kryemadhi: “Luli nuk është Luli. Luli është Saliu, është Iliri, është Monika… Luli është kukull e tundur kur ne e shohim. Kur zhduket nga ekrani, është një kukull që fle. Ata të tre janë një arsye shumë e fortë për mandatin e tretë të Partisë Socialiste. Nga ana tjetër, është një mandat për të mos lënë në mes një punë të nisur në çdo drejtim, një punë që ka nisur të japë rezultate, por që nuk ka sjellë ende të gjitha rezultatet që duhen”.