Kryesore Rama: Koka e korrupsionit janë gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar, jo politikanët

Rama: Koka e korrupsionit janë gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar, jo politikanët

Kryeministri Edi Rama ka folur sot në konferencën ku u prezantuan rezultatet e Grupit të Shteteve Kundër Korrupsionit (GRECO). Teksa pranoi se në vend ka korrupsion dhe në nivele të larta, Rama u shpreh se lufta kundër korrupsionit ka filluar bashkë me Reformën në Drejtësi.

Ai tha se lufta kundër korrupsionit ka nisur me Vettingun, ku ata që ishin bërë pis po pastrohen dhe po largohen nga sistemi. Po ashtu sipas Ramës, SPAK është institucioni që është në qendër të vëmendjes dhe të gjithë presin prej tij që të pastrojnë deri në fund ata që u larguan nga Vettingu.

Sipas Ramës, gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar duhet të venë prapa hekurave dhe për këtë duhet të veprojë SPAK-u. Në fund ai tha se në Shqipëri koka e korrupsionit nuk janë politikanët, por ata që kishin bërë pis drejtësinë dhe krijuan sistemin e pandëshkueshmërisë.

Rama: Mendoj që lufta kundër korrupsionit në Shqipëri për të ndërtuar sisteme që ta përballojnë atë, ka nisur me Reformën në Drejtësi. Para kësaj lufta ka qenë njësoj si lufta me mullinjtë e erës. Fillimi i Reformës në Drejtësi dhe vijimi i saj janë baza që nesër të kemi një shtet modern. Duhet të jemi të vetëdijshëm që nuk është një luftë as e lehtë dhe as e shkurtër.

Reforma në Drejtësi si e tërë është historike dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë. Pa diskutim që nëse shohim sot panoramën aktuale në drejtësi, është dinamike dhe ka shumë të bardhë dhe shumë të zezë. Ka shumë shpresë, por ka dhe shumë arsye për ndryshim. Është e domosdoshme që të vihet theksi në një pikë sipas meje. Nëse Vettingu po bën kërdinë  duke shkatërruar të zezën, unë them se nuk do të ketë progres në goditjen e zyrtarëve të lartë nuk mund të ndodh nëse nuk goditet korrupsioni në nivele të larta në drejtësi.

Nuk do të jetë e largët kur goditja të ngjitet më lartë, kjo është premisa e të gjithë institucioneve të drejtësisë. Kjo është premisa që presin nga SPAK, në të kundër SPAK do jetë zhgënjimi më i madh dhe do jetë goditja morale për të gjithë popullin shqiptar. Do jetë dështimi më i madh i të gjithë partnerëve të Shqipërisë, SPAK ka për mision që të pastrojë deri në fund të gjithë ata që janë pastruar nga sistemi. Duhet t’i pastrojë deri në fund dhe nga jeta shoqërore dhe t’i dërgojë prapa hekurave. Kjo do të jetë kthesa e madhe që do ta bëjë Shqipërinë europiane këtu. Tema këtu dhe beteja është për ta filluar tamam nga koka. Koka e korrupsionit në Shqipëri nuk janë politikanët, por ka qenë korporata e këtyre gjyqtarëve dhe prokurorëve, që kanë krijuar sistemit të pandëshkueshmërisë. Po mos të kishin qenë këta, nuk do ishte dhe korrupsioni spektakolar i politikanëve. Nëse nuk vendoset në themel të sistemit të drejtësisë kurbani i korrupsionit 30-vjeçar që është fiks tek ajo që Vettingu që është shpërbërë, nëse nuk ndodh historia do të përsëritet dhe shumë keq.