Kryesore Rama komenton sms për Metën: Jam gjithmonë 3 lëvizje përpara, opozita po...

Rama komenton sms për Metën: Jam gjithmonë 3 lëvizje përpara, opozita po vetëeleminohet

Kryeministri Edi Rama pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste ka komentuar mesazhin e bërë publik nga presidenti Ilir Meta  për një plan të hartuar që në shkurt për asgjësimin e opozitës.

Rama tha se nuk ka nevojë për plan, se opozita është kujdesur vazhdimisht dhe po kujdeset për vetëeleminimin e saj.

“Për fat të keq të atyre që ende e besojnë këtë opozitë nuk ka nevojë për plane për të eleminuar opozitën sepse opozita është në kapacitete të plota për tu vetëeleminuar. Procesi i degradimit vazhdon në një rrugë që e kanë zgjedhur vetë qorrazi dhe çdo ditë hedhin qorrazi nga një hap. Me rëndësi për ne është ti qëndrojmë besnik të gjithëve edhe atyre që na votuan dhe atyre që nuk na votuan. Historitë me 7×7 bëjnë 42 ja kemi lënë opozitës“, tha Rama.

Teksa opozita pretendon se ka pas vetes 85% të shqiptarëve, referuar bojkotit të zgjedhjeve vendore, Rama ka këtë koment: “Kam thënë që do të ndëshkohen nga vetëpërjashtimi dhe në procesin e vetëvrasjes do të bërtasin fitore dhe siç e shikoni po bërtasin fitore. Fitore të tilla paçin gjithmonë, ajo që mbetet është rezultati”.

Sa i takon Presidentit, Rama duket se nuk ka ngut për të gjetur një emër të ri.

“Nuk është në rendin e ditës. Unë jam gjithmonë 3 lëvizje përpara. Lëvizja e radhës është procesi që ka nisur në parlament“, tha Rama.

Kryeministri përjashtoi ndryshimet në qeveri, sikundër edhe ndëshkimet për rezultatet e dobëta zgjedhore.

“Nuk ka ndryshime në qeveri, janë fantazi që burojnë dhe nga temperaturat e larta. Nëse detyrat janë bërë, nuk ka nevojë për ndryshime. Nuk kemi pasur prioritet në zgjedhjet e 30 qershorit rezultatin, por procesin. Tani kemi të dhëna të bollshme për të vijuar më tutje duke parë nga vetja. Dimë potencialet që kemi, kemi ende shumë rezerva dhe shumë për të përmirësuar në të gjitha nivelet“, tha kryeministri.

Ndërsa lidhur me gjyqtarët që kanë kanë çuar vendimin në Strasburg, Rama tha: “Është e drejta e tyre, reforma në drejtësi është kali i betejës së kësaj shumice dhe vijon që të zbatohet në harmoni të plotë me SHBA-BE të tjerat janë aspekte dytësore të një procesi që ecën dhe nuk ndalet më edhe në 30 Qershor”.