Kryesore Rama, kritika hipotekës: Vonojnë pa arsye dhënien e titujve të pronësisë

Rama, kritika hipotekës: Vonojnë pa arsye dhënien e titujve të pronësisë

Kryeministri Edi Rama ka kritikuar hipotekat se vonojnë dhënien e titujve të pronësisë pa arsye. Nga Vlora ai ka shpërndarë rreth 500 leje të reja legalizimi, ku tha se 115 mijë legalizime janë bërë në vetëm 30 muajt e fundit.
“Keni ende probleme me hipotekat që shpesh herë i vonojnë dhënien e titujve të pronësisë pa arsye, dhe përfitoj nga rasti që dhe njëherë tu them se këto janë edhe arsyet pse ne kemi ende shumë për të bërë dhe pse ne jemi kokëulur përpara njerëzve pasi të gjitha ato që kemi arritur nuk janë arsye për të rrahur gjoksin para popullit, por për t’i thënë njerëzve që duam të vazhdojmë këtë rrugë pasi drejtimi ynë, jo vetëm është drejtim i duhur, por i vetmi drejtim për të ndryshuar njëherë e mirë Shqipërinë dhe për të bërë shtet”, tha Rama.
Sipas kryeministrit legalizimet falas janë një histori suksesi që po zhvillohet me ritëm dhe përgjegjësi. Në tetë vitet e qeverisë së vjetër janë bërë 21 mijë legalizime, ku 85% kanë qënë biznese. Ndërsa në 30 muajt e fundit janë bërë 115 mijë legalizime, ku 90 për qind janë shtëpi.