Kryesore Rama: Kryeministria nuk është kullë, opozita në duart e paafta të Lulzimit...

Rama: Kryeministria nuk është kullë, opozita në duart e paafta të Lulzimit dhe doktoreshës

Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të enjte në Real Story se problemi më i madh i opozitës është mungesa e lidershipit.

Duke komentuar protestën e 16 shkurtit, Rama tha se opozita prej 5 vite e gjysmë nuk ka qenë e gatshme që të ofrojë një alternativë për qytetarët.

Sipas kreut të qeverisë, opozita ka mbetur në duart e paafta të Lulzim Bashës.

“U bënë 5 vjet e gjysmë që kemi përballë një opozitë e cila nuk është e gatshme të ofrojë asnjë alternativë. Kemi një opozitë që nuk ngjallë shpresë dhe që merret gjithmonë me mangësitë tonë. Opozita ka një problem të theksuar lidershipi. Ka mbetur në duar të paafta në duart e Lulzimi nga njëra anë dhe të Doktoreshës. Por raporti i publikut është me ne kurse ai i opozitës s’ka shanse të matet me ne”.

“Nëse opozita e konsideron kala Kryeministrinë dhe duhet sulmuar, tregon se opozita jeton në Mesjetë me liderin legjendar”, u shpreh Kryeministri Rama, në emisionin Real Story.

I pyetur për largimin nga Kryeministria, Rama tha se “për mua Kryeministria nuk është kulla e fisit tim dhe nuk e shoh si një kala, dhe një tribu do të vijë e ta marrë, e unë do rri brenda dhe ta mbroj, por është një institucion, ndërkohë që unë vetë të shtunave nuk shkoj në Kryeministri, përgjithësisht shkoj në territor dhe do jem në një nga stacionet e ciklit të takimeve të bashkive në Vlorë”.

Në vijim, Kryeministri shtoi se “historia që ‘rri aty dhe prit se po vijmë’, tregon se opozita jeton në mesjetën e liderit të vet legjendar, i cili është sot e gjithë ditën, fryma, shpirti dhe zemra e mendja e një opozite. E një opozite që në vitin 2019 e koncepton godinën e Kryeministrisë si kala dhe veten si një pushtues që duhet të marrë kalanë dhe i thotë drejtuesit të qeverisë që zgjidhet një herë në katër vjet që ‘rri aty ti, po të jesh burrë’”.

I pyetur nëse ndikon keq mosqenia në Kryeministri, Rama tha se “unë nuk kam kritere të trimërisë dhe të frikës, nuk jemi në epokën kur trimëria dhe frika matet me kapacitetin për të matur stuhitë dhe furtunat, unë e konceptoj, unë mendoj se jetojmë në një kohë tjetër. Këta i drejtohen me këto lloj metodash dhe lloj komunikimi, siç ishte dhe komunikimi sot, kur Saliu doli si boja para Parlamentit dhe tha se ky ishte stilograf. Pra i drejtohen një mileti që i beson verbërisht, por nuk besoj se shumica e shqiptarëve kanë ndonjë respekt nga historitë me këto kryeministri që konceptohen si kala, si kullë”.